Lojëra me Dore

Roland Garros/ Rafael Nadal në finale, tani ka një takim me historinë

Rafael Nadal ka mundur në tre sete argjentinasin Diego Shvartzman, 6-3, 6-3 dhe 7-6, duke u kualifikuar për herë të 13-të në karrierë në finalen e “Roland Garros”. Është turneu i tij, fusha e tij dhe publiku i tij. Gjithçka ishte në anën e tij në këtë gjysmëfinale të një niveli të lartë. Argjentinasi vuajti lodhjen në çerekfinalen ndaj Thiem, ku ju deshën më shumë se 5 orë për ta kaluar.

Nadal ka shërbimet i pari, shfrytëzon gabimet e Shvartzman, por edhe spanjolli bën gabime. Duhen 14 minuta dhe një gjuajtje e bukur e Nadal për ta mbyllur gejmin e parë në favorin e tij. Spanjolli fiton dhe gejmin e dytë, por vuan pak më pas. Gjithsesi, e kalon momentin e vështirë dhe arrin ta fitojë setin 6-3 për 64 minuta.

Rafael Nadal gjatë ndeshjes. Gazeta Si, 9 tetor 2020

Në lojën e tretë të setit të dytë, nga raketa e Rafel Nadalit vijnë gjuajtje të pakapshme për Shvartzman. Spanjolli nuk fal dhe nuk i lë asnjë top “break”, duke e mbyllur setin po 6-3. Pas një ore e 52 minutash Rafa është vetëm një set larg finales së tij të 13-të në “Roland Garros”. Në lojën e 4-t të setit të tretë Shvartzman zihet me arbitrin, që sinjalizon një top jashtë.

Argjentinasi humbet shërbimin dhe Nadal udhëheq 3-1. Gjuajtjet e Shvartzman nuk i bëjnë më keq spanjollit, por edhe ai bën disa gabime të pafalshme. Nadal ia del ta fitojë edhe këtë set dhe pas 3 orësh e 8 minuta siguron finalen. Ai është tashmë vetëm një hap larg 20 fitoreve Slam të Roxher Federer.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë