Lojëra me Dore

Roland Garros/ Gjokoviç tregon forcën me përmbysje, në gjysmëfinale e pret Alkaraz

Gazeta Si – Me Gjokoviç përfundon gjithmonë kështu, vjen një ditë që ndoshta jo 100%, por në fund fiton serbi. Khaçanov krijoi iluzione me fitimin e setit të parë, më pas Gjokoviç përmbysi gjithçka në 3 setet e tjera, nga 4-6 në 7-6, 6-2 dhe 6-4.

Jo më kot ‘Nole’ ka shkuar në kuotën e 22 Slam-eve. Ishte një ndeshje me tenis të nivelit të lartë, teknikë, taktikë dhe mbi të gjitha egërsi. Ajo egërsia që refuzon humbjen, sidomos ndaj kundërshtarëve më të dobët në letër. Serbi ka shkuar në gjysmëfinale të Roland Garros dhe kërkon trofeun e 23-të për t’u bërë tenisti më fitues i të gjitha kohërave.

Për të shkuar në finale Gjokoviç duhet të mundë Karlos Alkaraz. Spanjolli fitoi bindshëm ndaj grekut Stefanos Tsitsipas, 3-0. Alkaraz ishte i pamëshirshëm në ndeshjen që kishte pritshmëri të larta. Ai kishte vendosur ta mbyllte gjithçka shumë shpejt.

Spanjolli luajti një tenis dominues dhe impresionues, duke fituar 3 setet 6-1, 6-2 dhe 7-6. "Si ia bëj që luaj kështu? Mendoj se është puna e çdo dite, impenjimi. Tani më pret një sfidë e vështirë me Gjokoviç, ai është një nga lojtarët më të mirë në botë dhe mezi pres të përballem me të”, - tha Alkaraz pas ndeshjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë