Lojëra me Dore

Roland Garros/ Gjokoviç kalon në 1/8-at, kualifikohen edhe Alkaraz e Tsitsipas

Gazeta Si – Në turin e tretë të Roland Garros, Novak Gjokoviç ka mundur 3-0 Davidovich Fokina, duke shkuar në 1/8-at. Serbi triumfoi 7-6, 7-6 dhe 6-4, pas tre orësh e 36 minuta lojë.

Mes Gjokoviçit dhe Davidovich Fokina ishte një ndeshje e ekuilibruar, me spanjollin që e vuri seriozisht në vështirësi numrin 3 në botë, duke i vjedhur dy herë shërbimin, por në të dy rastet ‘Nole’ ia doli. Eksperienca e Gjokoviçit u ndje kur topi ‘peshonte’ më shumë.

Dy setet e para ishin të ngjashëm, të mbyllur 7-6 nga tenisti serb, ndërsa spanjolli humbi shansin për ta çuar ndeshjen në 1-1, me tie-break që mori sërish skenën. Gjokoviç u tregua superior kur duhej. Në setin e 3-të Davidovich Fokina nuk ishte më, por loja e tij meriton të përgëzohet.

Kaloi turin edhe Khaçanov, që eliminoi Kokinakis pas 3 orë e 45 minutash, 6-3, 6-1, 3-6 dhe 7-6. Asnjë problem për numrin 1, Karlos Alkaraz. Spanjolli çmontoi kanadezin Shapovalov 3-0, me rezultatin 6-1, 6-4 dhe 6-2. Alkaraz u imponua shpejt në lojë, duke mos i dhënë asnjë shans kundërshtarit. Lideri i renditjes botërore është i një tjetër kategorie.

Është kualifikuar edhe Stefanos Tsitsipas, i cili eliminoi 3-0 (6-2, 6-2, 6-3) Diego Shvartzman, pas 2 orë e 5 minutash. Ishte një ndeshje pa histori, me grekun që dominoi dhe që në 1/8-at do të ndeshet me Ofner. Është eliminuar Hubert Hurkacz, 3-2 nga peruani Varilas, pas gati 4 orësh lojë. Në 1/8-at Varilas do ndeshet me Gjokoviç.

Te femra është eliminuar në turin e 3-të Xhesika Pegula. Ajo u mund 2-0 nga belgia Elise Mertens, me rezultatin 6-1, 6-3. Amerikania tjetër, Pejton Stirns, është eliminuar nga rusja Daria Kasatkina 2-0.

Në formë Sabalenka, e cila mundi me një dopio 6-2 rusen Rakhimova. Më të luftuara ndeshjet Pavljuçenkova-Potapova dhe Blinkova-Svitolina. Derbi rus u fitua papritur nga Pavljuçenkova 2-1. Jashtë Blinkova, e mundur nga ukrainasja Svitolina 2-1. Në ndeshjen e fundit, Karolina Muçova mundi 2-0 Irina Begu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë