Lojëra me Dore

Roland Garros/ Fitore të lehta për Alkaraz dhe Tsitsipas, Garsia jashtë te femrat

Gazeta Si – Probleme të vogla për Karlos Alkaraz në turin e dytë të Roland Garros. Numri 1 në botë mundi 6-1, 3-6, 6-1, 6-2 japonezin Taro Daniel. Kundërshtari i radhës është Shapovalov, që eliminoi Arnaldi.

Ishte një ndeshje me stonime të vogla për Alkaraz, ose më mirë vetëm një moment ai hasi vështirësi, në setin e dytë. Për pjesën tjetër ndeshja nuk pati histori, fenomeni spanjoll i la vetëm 5 gejme në 3 setet e tjera japonezit.

Edhe më të lehtë e pati kualifikimin Stefanos Tsitsipas. Greku vuajti pak vetëm në setin e dytë, por fitoi 6-3, 7-6, 6-2 ndaj spanjollit Roberto Karbales Baena. Në turin tjetër numri 5 në botë do të ndeshet me Shvartzman, i cili eliminoi portugezin Borges.

Në ndeshjet e tjera, Ofner mposhti në 3 sete amerikanin Korda, 6-3, 7-6 dhe 6-4. Do të luajë me italianin Fonjini në vazhdim. Kokinakis fitoi maratonën me 5 sete ndaj Vavrinkës dhe në turin tjetër përballet me Khaçanov, që kaloi pa probleme Albot, 6-3, 6-4 dhe 6-2.

Befasia erdhi te femrat, ku u eliminua papritur e zonja e shtëpisë, Karoline Garsia. Francezja, numri 5 në botë, u mund me përmbysje nga rusja Ana Blinkova, 4-6, 6-3 dhe 7-5. Tani kjo e fundit do të ndeshet me Elina Svitolinën, ukrainasen që mundi 2-6, 6-3 dhe 6-1 australianen Storm Hunter.

Nuk gabuan tenistet e tjera të ‘top 10’. Arina Sabalenka dominoi sfidën me bjellorusen tjetër Shumanoviç 7-5, 6-2, kurse Daria Kasatkina eliminoi 6-3, 6-4 çeken Vontrousova.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë