Ngjarje

Roja i serave në Fier u godit disa herë, autori pastroi thikën në një çezmë dhe ndërroi rrobat

Gazeta Si - Vrasësi i 67-vjeçarit Petraq Gjika mes serave ku punonte si roje në fshatin Mbrostar të Fierit, dyshohet të ketë vepruar me gjakftohtësi.

Pasi ka kryer krimin, autori/ët ka pastruar thikën me gjak në një çezmë uji aty pranë dhe më pas ka fshehur rrobat.

Ndërsa grupi hetimor ka zbardhur dinamikën e plotë, ngjarja mbetet ende pa autor dhe e mbuluar me mister.

Më shumë se 15 persona,  familjarë, roje dhe çobanë që punojnë në zonë dhe që mund të kenë pasur njohur me viktimën, janë marrë në pyetje gjatë orëve të fundit dhe më pas janë lënë të lirë.

Petraq Gjika, sipas dosjes hetimore po qëndronte në kabinën e tij nga ku ka dalë pasi ka vënë re lëvizje.

Autori e ka sulmuar menjëherë me thikë në zonën e barkut. Prerjet në duar tregojnë se ka tentuar të mbrohet, por nuk ia ka dalë.

Pasi është siguruar se 67-vjeçari ka ndërruar jetë, autori e ka tërhequr deri pranë kontejnerit të mbetjeve, ku ai u gjet të shtunën dhe e ka mbuluar me plasmas.

Dyshimet janë se për vrasjen u përdor një thikë me përmasa të mëdha, të cilën autori besohet se e mori me vete kur u largua.

Në largim, ai dyshohet se është larë në një çezmë pranë rrugës, ku besohet se hequr edhe rrobat që kishte veshur, për të cilat grupi hetimor beson se kanë qenë me njolla gjaku.

Për të rënë në gjurmët e vrasësit, grupi hetimor ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të serës ku u vra roja.

Por dhe objekteve të tjera në zone, të cilat mund të kenë kapur lëvizje të dyshimta gjatë natës.

Në vitin 2018, Gjika ishte përfshirë në një tjetër ngjarje, ku ishte plagosur po me thikë.

Asokohe Gjika kishte filluar punë si roje nate në një lokal, ndërsa është konfliktuar me Xh.B., pasi dyshohet se i kishte zënë vendin e punës. 

Ai i mbijetoi asaj ngjarjeje, ndërsa autori vuan prej disa vitesh dënimin e dhënë me burg nga gjykata.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë