Teknologji dhe Inovacion

Robotë për të hequr barërat e këqija

Në një fushë në Angli, tre robotëve u është dhënë një mision: të gjejnë dhe të zhdukin barërat e këqija me energji elektrike përpara se të mbjellin farat në tokën e pastruar.

Robotët, të quajtur Tom, Dick dhe Harry u zhvilluan nga Small Robot Company për të pastruar tokën nga barërat e këqija me përdorim minimal të kimikateve dhe makinerive të rënda.

Ky startup i nisur që nga viti 2017, tani është funksional në tre ferma në Mbretërinë e Bashkuar. Robotët e tjerë janë ende në fazën e prototipit, duke iu nënshtruar testimit.

Roboti Tom mund të skanojë 49 hektarë tokë në ditë, duke mbledhur të dhëna të cilat më pas përdoren nga Dick, një robot "për kujdesin ndaj të korrave", për të zhdukur barërat e këqija. Më pas është radha e robotit Harry që të mbjellë fara në tokën pa barërat e këqija.

Duke përdorur sistemin e plotë, pasi ai të jetë në funksion, fermerët mund të ulin kostot me 40% dhe përdorimin e kimikateve deri në 95%, thotë kompania.

Sipas Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë, gjashtë milionë tonë metrikë pesticide u tregtuan globalisht në vitin 2018, me vlerë 38 miliardë dollarë.

"Sistemi ynë i lejon fermerët të rregullojnë tokat e tyre”, thotë Ben Scott-Robinson, bashkëthemeluesi dhe CEO i Small Robot.

Scott-Robinson thotë se kompania shpreson të nisë sistemin e saj të plotë të robotëve deri në vitin 2023, i cili do të ofrohet si shërbim me një normë prej rreth 568 dollarë për hektar. Roboti monitorues vendoset fillimisht në një fermë dhe robotët e barërave të këqija dhe mbjellëse dorëzohen vetëm kur të dhënat tregojnë se janë të nevojshme.

Për të zhvilluar teknologjinë zapping, Small Robot bashkëpunoi me një tjetër startup në Mbretërinë e Bashkuar, RootWave.

"Krijon një rrymë që kalon nëpër rrënjët e bimës përmes tokës dhe më pas kthehet lart, e cila shkatërron plotësisht barërat e këqija", thotë Scott-Robinson.

Ai shton se nuk është aq shpejt sa do të ishte nëse do të dilje për të spërkatur të gjithë fushën por “ju duhet të keni parasysh se ne duhet të shkojmë vetëm në pjesët e fushës ku janë barërat e këqija". Bimët që janë të dobishme për të korrat lihen të paprekura.

Për Kit Franklin, një pedagog i inxhinierisë bujqësore nga Universiteti Harper Adams, efikasiteti mbetet një pengesë.

"Nuk kam asnjë dyshim në mendjen time se sistemi elektrik funksionon. Por ju mund të mbuloni qindra hektarë në ditë me një spërkatës në shkallë të gjerë. Nëse duam të futemi në këtë sistem vërtet preciz të shkatërrimit të barërave të këqija, duhet të kuptojmë se ka një reduktim të prodhimit që është shumë i vështirë për t'u kapërcyer".

Por Franklin beson se fermerët do të adoptojnë teknologjinë nëse mund të shohin një rast biznesi.

"Përdorimi i më pak inputeve, ku dhe kur kemi nevojë për to, do të na kursejë para dhe do të jetë mirë për mjedisin dhe perceptimin e fermerëve".

Përveç reduktimit të përdorimit të kimikateve, Small Robot dëshiron të përmirësojë cilësinë e tokës dhe biodiversitetin.

"Ne duhet të ndryshojmë bujqësinë tani, përndryshe nuk do të ketë asgjë për të kultivuar", thotë Scott-Robinson.

Burimi: CNN. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë