Drejtësia

Rivlerësimi i masës së sigurisë, sot ish-anëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj del në Apel

Do të mbahet sot në Gjykatën e Apelit gjyqi për ish-anëtarin e UÇK-së, Dritan Goxhajn, i cili u arrestua në Tiranë me urdhër të Gjykatës Speciale.

Seanca pritet të nisë në orën 12:00, ku do të bëhet rivlerësimi i masës së sigurisë.

Avokati ka apeluar në Apel masën ‘arrest me burg’ për Goxhajn, që u vendos ditë më parë nga gjykata.

Dy ditë pas arrestimit nga policia, Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 40 ditë Dritan Goxhajt.

Ky i fundit u arrestua të hënën e 31 korrikut, pasi akuzohet për intimidim të dëshmitarëve. Togat e zeza kanë kërkuar informacion shtesë nga ana e drejtësisë së Kosovës në lidhje me akuzat e ngritura në ngarkim të ish-ushtarit të UÇK-së.

Përballë tyre, Goxhaj ka prentenduar se nuk ka bërë asgjë të paligjshme, përveç disa shkrimeve në rrjete sociale.

Dyshohet se ai ka publikuar në rrjete sociale detaje sekrete nga procesi gjyqësor i Dhomave të Specializuara të Hagës, përfshirë dëshmi, emra apo të dhëna personale të dëshmitarëve.

Ndaj Dritan Goxhajt, Gjykata Speciale e Kosovës ka lëshuar një urdhër-arrest, pasi e akuzon se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve në disa çështje të hapura më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Por pasi gjykata e Tiranës la në fuqi masën e arrestit, avokati i Goxhajt këmbëngul refuzimin e ekstradimit.

“T’i dorëzohet Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, që nënkupton Holandën, nënkupton Hagën ku është vendosur selia e Dhomave Speciale, për të ushtruar të drejta në bazë të ligjit të Kosovës. Në vitin 2015 është krijuar, ratifikimi i marrëveshjes është në vitin 2013, nuk janë bërë ndryshime që të përfshijë edhe këtë pjesë lëndore, juridiksionale dhe që të jetë vepruese midis dy shteteve tona. Pra, flasim për hapat e mëtejshëm në lidhje me çfarë do të ndodhë me këtë procedurë”, shprehet avokati Bashkim Nikolla.

Shqipërisë i kërkohet gjithashtu të ofrojë ndihmë për transferimin pa vonesë të Goxhajt në Dhomat  e Specializuara të Kosovës dhe të mos ia bëjë të ditur askujt përmbajtjen e fletë arrestimit.

Nga ana tjetër, Gjykata Speciale ka bërë të ditur se do të bëhet ekstradimi i tij në Hagë.

“Goxhaj do të mbahet në Shqipëri, në pritje të një vendimi nga autoritetet shqiptare për transferimin e z.Goxhaj në ambientet e paraburgimit të DhSK në Hagë”, u bë e ditur nga Dhomat e Specializuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë