Lojëra me Dore

Rivaliteti i përjetshëm Nadal-Federer, sfida më e gjatë e historisë

Ata përplasen sërish sot. Roxher Federer dhe Rafael Nadal, dy protagonistët e përjetshëm të tenisit do të ndeshen për herë të 39-të, (23-15 në favor të spanjollit), njëri përballë tjetrit, në rivalitetin më të gjatë në historinë e tenisit. Kanë kaluar 14 vjet nga debutimi i tyre në “Roland Garros 2005” dhe sot,në gjysmëfinalet e këtij turneu, do të jetë beteja e radhës e një sfide, që mund të jetë edhe kapitulli i fundit i një sage që e ka ndarë botën në dy pjesë. Ju njohim me të gjitha përplasjet mes tyre, nga “Majemi 2004” te finalja historike e “Australian Open 2019”.
MAJEMI 2004 — Miami 2004, raundi i tretë, Nadal 6-3 6-3. Roxher Federer është prej tre muajsh numri 1 në botë, vjen pas fitores së parë në “Australia Open” dhe nga titulli i parë në “Indian Uells”. Rafael Nadal në krahun tjetër është numri 34 në botë. Nuk ka ndeshje: Nadal nuk fal dhe nga shërbimi humbet 8 pikë në 9 turne, kurse në shërbimet e kundërshtarit humbet vetëm 4 topa. Është fillimi i një historie, që duket se nuk ka fund.
MAJEMI 2005 — Majemi 2005, finale, Federer 2-6 6-7 7-6 6-3 6-1. Pas 12 muajsh përsëri në Majemi dhe përsëri Nadal duket më mirë. Fiton setin e parë, rikuperon një “break” në të dytin, shkon në 4-1 në të tretin, por zvicerani reziston. Nadal shkon deri në 5-3, por 2 pikë larg fitores ndalet nga shpërthimi i Federerit, i cili fiton 18 nga 24 gejmet e fundit. Djaloshi i tmerrshëm është gati të nisë historinë e tij të gjatë të dashurisë me këtë tokë.

Federer dhe Nadal në Paris, 2005

ROLAND GARROS 2005 — Roland Garros 2005, gjysmëfinale, Nadal 6-3 4-6 6-4 6-3. Federer vjen nga 62 fitore në 64 ndeshje (ka humbur me Safin në Australi dhe Gasket në Montekarlo), ndaj konsiderohet favorit. Por në fushë është vetëm Nadal. Shërbimi (3 ejs dhe 5 faulle të dyfishtë) dhe goditjet e drejta tradhtojnë zviceranin. Federer mbahet në setin e dytë, rikuperon në të tretin nga 2-4 në 4-4, por pëson sërish “break”. Në të katërtin shkon deri në 3-1, më pas shuhet, sepse Nadal është një “makinë lufte me municion pa fund”.
DUBAI 2006 — Dubai 2006, finale, Nadal 2-6 6-4 6-4. Nadal vjen nga një dëmtim në kavilje, që e detyroi të mungonte në “Masters” në fund të 2005-ës dhe në “Australia Opën” në 2006-ën. Por në Dubai paraqitet si një lojtar më i fortë se më parë. Federer është favorit absolut dhe vjen pas 56 ndeshjesh të fituara në çimento. Pas një seti të dominuar, zvicerani nuk arrin t’i përballojë gjuajtjet e Nadalit, i cili me dy “break” kirurgjikalë nënshtron Federerin. Është një nga ndeshjet që shënojnë rivalitetin në favor të spanjollit.
Il principe Alberto, Federer e Nadal nel 2006.

Federer, Nadal dhe Princi Albert i Montekarlos në vitin 2006

MONTEKARLO 2006 — Montekarlo 2006, finale, Nadal 6-2 6-7 6-3 7-6. Federer nuk humbet që prej Dubait, ka fituar në Indian Uells dhe Majemi. Nadal prezantohet si dominues absolut i tokës dhe sapo nis ndeshja është në avantazh të thellë. Zvicerani luan një “tie-break” të jashtëzakonshëm në setin e dytë, por më pas fiksohet për ta goditur Nadalin me gjuajtjet e drejta. Goditja e fundit e Federerit është në “tie-break”-un e setit të katërt. Për Nadalin, të rikuperojë nga 0-3 është një lojë fëmijësh dhe e mbyll finalen me titullin e dytë radhazi në principatë.
ROMË 2006 — Romë 2006, finale, Nadal 6-7 7-6 6-4 2-6 7-6. Ka mbetur në histori si ndeshja më e gjatë në rivalitetin mes tyre, me 5 orë e 5 minuta betejë, që e bëjnë këtë finale një nga ndeshjet më të bukura të historisë në tenis. Federer shkon dy herë afër fitores në rezultatin 6-5 të setit të pestë, por gjuajtja e drejtë e tradhton. “Tie break”-u fitohet nga Nadal 7-5.
ROLAND GARROS 2006 — Roland Garros 2006, finale, Nadal 1-6 6-1 6-4 7-6. Finalja e parë në Roland Garros mes të dyve. Nadal vjen si kampion në fuqi, Federer si fitues i 3 Slam-eve të fundit dhe kërkon fitoren e madhe mes dy sezoneve. Zvicerani është i pathyeshëm në finalet e një Slem-i: 7 ndeshje, 7 fitore. Niset mirë edhe këtë herë, por pas 6-1 në setin e parë dhe 40-0 në gejmin e parë të setit të dytë, Federer bie dhe Nadal rikuperon, duke e mbyllur me 4 sete. Rafa është faktikisht i papërballueshëm dhe një monstër për përqendrimin dhe formën fizike.
UIMBËLLDON 2006 — Uimbëlledon 2006, finale, Federer 6-0 7-6 6-7 6-3. Pas 5 humbjeve radhazi, Federer ia del ta mundë Nadalin në barin e Uimbëlldonit. Pas 6-0 në setin e parë, Federer pranon në një farë mënyre lojën e mirë të Nadalit, por ia del të fitojë edhe setin e dytë. Më pas humbet setin e parë të turneut, megjithatë e merr veten në setin e katërt dhe fiton ndeshjen. Rivaliteti mes tyre nuk ka më kufij vendesh dhe llojesh terreni.
ATP FINALS 2006 — Atp Finals 2006, gjysmëfinale, Federer 6-4 7-5. Më shumë se bari, fusha sintetike është terreni i preferuar i Federerit për të sfiduar Nadalin. Roxher komandon dhe Nadal nuk arrin të bëjë diçka. Zvicerani humbet dy “match-point” për mbylljen e sfidës, duke gabuar me gjuajtjet nga fundi i fushës. Por para se ndeshja të komplikohet, ai e mbyll me një gjuajtje të fortë dhe është ai maestro i fundvitit.

Federer dhe Nadal në Monako, 2007

MONTEKARLO 2007 — Montekarlo 2007, finale, Nadal 6-4 6-4. Është sfida e 10-të, që e çon rezultatin në 7 fitore për Nadalin dhe 3 për Federerin. Zvicerani është dominues absolut, edhe pse në Indian Uells pësoi nga Kanas humbjen e parë pas 41 fitoresh radhazi. Megjithatë, në fushën me dhe të kuq, Federer e ka të vështirë. Nadal e çon në 67 numrin e ndeshjeve radhazi të fituara në një terren të tillë. Dominim i jashtëzakonshëm i tij.
HAMBURG 2007 — Hamburg 2007, finale, Federer 2-6 6-2 6-0. Nadal nuk humb në dhe të kuq prej 81 ndeshjesh, por fusha e Hamburgut i jep Federerit fitoren e parë të karrierës kundër spanjollit në një terren të tillë. Federer e nis keq, humb shumë topa “break”, por në fillim të setit të dytë Nadal bie shumë fizikisht dhe zvicerani e ka rrugën të lirë për të shkuar te fitorja.
ROLAND GARROS 2007 — Roland Garros 2007, finale, Nadal 6-3 4-6 6-3 6-4. Një tjetër finale, e dyta radhazi e humbur në Paris nga Roxher Federer. Nadal është i zakonshmi, ndërsa zvicerani e nis ndeshjen në mënyrë agresive, por nuk i mjaftojnë 10 topa “break” për të marrë setin e parë. Zvicerani këmbëngul më shumë, por Nadal nuk humbet terren. Spanjolli tregon sërish se është i pakalueshëm me 16 topa “break” të anuluar dhe Federer përfundon në tapet.
UIMBËLLDON 2007 — Uimbëlldon 2007, finale, Federer 7-6 4-6 7-6 2-6 6-2. Finalja e dytë radhazi në Uimbëlldon për të dy, me Federerin që kërkon të kalojë Borg, duke fituar për herë të 5-të radhazi. Zvicerani është shumë mirë me shërbimet dhe shkon përpara me sete 2-1. Në setin e katërt zihet me arbitrin, që certifikon një “doppio-break” për Nadalin. Duket se ndeshja ka marrë rrugën spanjolle, kur Federer gjendet në setin e pestë dy herë 15-40. Por ai e kalon rrezikun dhe në fund arrin fitoren e pestë radhazi në Uimbëlldon.
ATP FINALS 2007 — Atp Finals 2007, gjysmëfinale, Federer 6-4 6-1. Një rikthim në fushën e shpejtë të Shangait, për gjysmëfinalen e “Masters” të fundvitit dhe Federeri luan tenisin më të mirë ndaj Nadalit. Barazim 4-4 në setin e parë, Federer gjendet për herë të parë në disavantazh 15-30, por prej këtij momenti ai kontrollon gjithçka dhe fiton me lehtësi.
MONTEKARLO 2008 — Montekarlo 2008, finale, Nadal 7-5 7-5. I fundit që kishte fituar 4 herë radhazi në Montekarlo ishte Toni Uillding në vitet 1911-1914. I dyti Rafael Nadal, që përmbys Federerin në të dy setet, edhe kur ai ishte në avantazh 4-0. Spanjolli është i papërmbajtshëm në tokë. Nga pranvera e 2005-ës deri në 2008-ën fiton 98 nga 99 ndeshje të luajtura në dhe të kuq.
HAMBURG 2008 — Hamburg 2008, finale, Nadal 7-5 6-7 6-3. Pas 3 fitoresh në Paris, 4 në Montekarlo dhe 3 në Romë, Nadal fiton për herë të parë të vetmin “Masters 1000” në tokë që i mungonte në koleksionin e tij. Federer e nis mirë setin e parë, duke shkuar në 5-1, por edhe në të dytin kryeson 5-2, por Nadal nuk dorëzohet kurrë dhe në fund arrin një tjetër fitore historike.
ROLAND GARROS 2008 — Roland Garros 2008, finale, Nadal 6-1 6-3 6-0. Për herë të tretë përballë në finalen e Parisit dhe spanjolli konfirmon superioritetin e tij. Nuk ka asgjë për të humbur Federer, që hyn në fushë i tensionuar, pëson një “break” në gejmin e parë të ndeshjes dhe nuk e merr më veten. Nadal nuk fal asgjë ndaj kundërshtarit.

Rafel Nadal me trofeun e Uimbëlldon 2008

UIMBËLLDON 2008 - Uimbëlldon 2008, finale, Nadal 6-4 6-4 6-7 6-7 9-7. Finalja e tretë radhazi në Uimbëlledon, me Federerin që kërkon suksesin e 6-të ndaj spanjollit. Do të jetë një finale legjendë në krahasim me Borg-MekEnroe të 1980-ës. Merita është e gjitha e Nadalit, që në setin e dytë rikuperon disavantazhin 4-1. Federer humbet në total 11 nga 13 topa “break”, 2 “matsh-point” dhe në fund Nadal e nënshtron “prenë” e tij. Një finale e paharrueshme.
AUSTRALIAN OPEN 2009 — Australian Open 2009, finale, Nadal 7-5 3-6 7-6 3-6 6-2. Një tjetër kryevepër e Rafael Nadal, i cili vinte nga 5 orë e 14 minuta vuajtje për të mundur Verdaskon në gjysmëfinale. Një humbje dramatike për Federer, që humbet setin e parë, edhe pse ishte në avantazh 4-2. Nadal humb të dytin, Federer shpërdoron në të tretin, por rigjen forcat në të katërtin. Në fund më i forti është tenisti nga Maiorka, që dominon me mendje, lojë dhe me nerva në setin e 5-të, që është vërtet dramatik.
MADRID 2009 - Madrid 2009, finale, Federer 6-4 6-4. Është sfida e 20-të e rivalitetit, që do ta çojë rezultatin në 13 fitore për Nadalin dhe 7 për Federerin. Pas 5 humbjesh radhazi, Federer e mposht Nadalin, i cili vinte nga maratona e 4 orëve dhe 3 minutave që iu deshën për të mundur Gjokoviçin në gjysmëfinale. Kjo është hera e fundit që Federer e mund Nadalin në fushën me dhe të kuq.
MADRID 2010 — Madrid 2010, finale, Nadal 6-4 7-6. Përsëri në Madrid. Të dy tenistët e mbyllin setin e parë me shumë gabime. Në setin e dytë Nadal shkon përpara 4-2, Federer rikuperon dhe shkon 2 pikë larg setit, por në momentin final spanjolli triumfon dhe e mbyll direkt nga shërbimi. Ndeshja zgjat 2 orë e 10 minuta.

Nadal dhe Federer në Atp Finals 2010

ATP FINALS 2010 — Atp Finals 2010, finale, Federer 6-3 3-6 6-1. Nëse në tokë spanjolli është favorit, fushat e shpejta janë një monolog i zviceranit. Kjo lloj fushe e bën më të lehtë lojën e Federerit, që fiton setin e parë, humb të dytin, kurse në të tretin, duke përfituar edhe nga forma e Nadalit, fiton ndeshjen dhe barazon Lendl, duke marrë “Masters”-in e 5-të.
MAJEMI 2011 — Majemi 2011, gjysmëfinale, Nadal 6-3 6-2. Është sfida e tretë në Majemi, pas atyre të 2004-ës dhe 2005-ës. Rafa i jep një leksion të mirë Federerit, i cili nuk arrin të lexojë trajektoret e shërbimit të spanjollit. Zvicerani ndjen gjithmonë presionin dhe nuk bën asgjë si duhet. Pas një ore e 18 minuta, të dy tenistët janë duke bërë dush, ndërsa trofeu është në duart e Nadalit.

MADRID 2011 — Madrid 2011, gjysmëfinale, Nadal 5-7 6-1 6-3. Sfida e tretë në Madrid, por nuk është finale si dy të parat. Federer duket i karikuar, por ekuilibri i tij zgjat vetëm në setin e parë. Me fillimin e të dytit historia ndryshon, Rafa nuk gabon më asnjë top dhe me meritë të plotë triumfon sërish ndaj rivalit.

Rafael Nadal në Roland Garros 2011

ROLAND GARROS 2011 — Roland Garros 2011, finale, Nadal 7-5 7-6 5-7 6-1. Finalja e katërt mes të dyve në Paris, e pesta në total në Roland Garros, duke marrë parasysh edhe gjysmëfinalen e 2005-ës. Rezultati është i njëjtë, edhe pse gara është më e fortë. Në të parin Federer shpërdoron një “set-point”, në setin e dytë spanjolli shkon përpara 3-1, Federer e arrin 4-4 dhe më pas fillon shiu. Me rifillimin e lojës, Nadal është më mirë. Në setin e katërt duket gjithçka e mbyllur, kur Nadal shkon 4-2, Federer reziston, por pa mundur t’i mohojë spanjollit fitoren e 6-të në Roland Garros.
ATP FINALS 2011 — Atp Finals 2011, Federer 6-3 6-0. Një ndeshje pa histori, një leksion i vërtet tenisi, këtë herë nga Federer. Nadal nuk është në formën më të mirë fizike dhe ndeshja zgjat vetëm 61 minuta. Zvicerani merr 23 pikë direkt nga shërbimi dhe 9 pikë me topat e kundërshtarit. Për herë të parë dhe të fundit ndeshja përfundon me një lojtar në fushë, me Federerin, që merr dyfishin e pikëve të rivalit, 54-27.
AUSTRALIAN OPEN 2012 — Australian Open 2012, gjysmëfinale, Nadal 6-7 6-2 7-6 6-4. Tre vjet pas finales së 2009-ës, dy tenistët kthehen në “Rod Laver Arena” të Melburnit. Ndeshja është e fortë, Federer i provon të gjitha, me çdo taktikë, por Nadal është një “demon”. Ndeshja vendoset nga një “tie-break” në setin e tretë, që fitohet nga spanjolli. Federer është shumë balerin në shërbimet e tij, por shumë i brishtë në topat e kundërshtarit.
INDIAN UELLS 2012 — Indian Uells 2012, gjysmëfinale, Federer 6-3 6-4. Duket e pamundur, por për herë të dytë në karrierë, Federer mund Nadalin në çimento, pas 4 humbjeve radhazi, në Dubai 2006, Australian Open 2009, Majemi 2011 dhe Australian Open 2012. Një ditë me erë, shi dhe temperatura të ulëta. Për një orë e 32 minuta Roxher Federer kthehet të buzëqeshë.
INDIAN UELLS 2013 — Indian Uells 2013, çerekfinale, Nadal 6-4 6-2. Kalojnë 12 muaj dhe dy fenomenët përballen në të njëjtën fushë. Nadal prej pak kohësh është kthyer në fushë, pas 7 muajsh pushimi të detyruar. Federer ka probleme në shpinë, luan mirë në 20 minutat e para dhe më pas nuk është më në gjendje të përballojë Nadalin.

Rafael Nadaql, fitues i Rome 2013

ROMË 2013 — Romë 2013, finale, Nadal 6-1 6-3. Kjo është ndeshja e 30-të mes tyre dhe rezultati është 20 fitore për Nadalin dhe 10 për Federerin. Rafa është në periudhën më të mirë të karrierës, kurse zvicerani fillon të ndjejë peshën e viteve. Nadal është i papërmbajtshëm dhe për zviceranin është “errësirë”, megjithatë ai lë fushën mes duartrokitjeve, edhe pse arrin të fitojë vetëm 4 gejme.
SINSINATI 2013 — Sinsinati 2013, çerekfinale, Nadal 5-7 6-4 6-3. Nga të gjitha sfidat me tre sete, kjo me siguri është më e bukura. Federer e nis shumë mirë dhe fiton setin e parë. Niveli është i lartë deri në barazimin 4-4 në setin e dytë, por këtu Nadal bëhet perfekt dhe fluturon. Kualiteti i lojës është shumë i lartë, por spanjolli ka diçka më shumë.
ATP FINALS 2013 — Atp Finals 2013, gjysmëfinale, Nadal 7-5 6-3. Është sfida e 5-të në “Masters” dhe Federer nuk ka humbur kurrë. Këtë herë zvicerani është plot energji, i pompuar nga beteja e një dite më parë ndaj Del Potro. E nis shumë mirë, reagon kur është në disavantazh, por nuk arrin të bëjë goditjen për fitimin e setit dhe më pas futet gradualisht në “morsën” e Nadalit.

Federer dhe Nadal në gjysmëfinalen e Australian Open 2014

AUSTRALIAN OPEN 2014 - Australian Open 2014, gjysmëfinale, Nadal 7-6 6-3 6-3. Suksesi i 5-të radhazi i Nadalit ndaj Federerit, i 3-ti radhazi në Australi. Spanjolli luan një tenis të një niveli të lartë. Federer, i mbështetur nga Stefan Edberg, kërkon të luajë shpejt. Seti i parë është i ekuilibruar, por Rafa e zgjidh me “tie-break”. Federer duket i demoralizuar, humbet besimin dhe më pas Nadal e ka shumë të lehtë ta mbyllë ndeshjen.
BAZEL 2015 — Bazel 2015, finale, Federer 6-3 5-7 6-3. Tre muaj e gjysmë pas suksesit të fundit, që daton në mars të 2012-ës, Federer rigjen buzëqeshjen në Bazelin e tij, duke mundur rivalin. Për një orë zvicerani është perfekt, por Nadal është gati të shfrytëzojë të vetmin kalim të gabuar të gjithë ndeshjes. Spanjolli barazon setet dhe kërkon ta kthejë ndeshjen në favorin e tij, por Federer është vërtet hyjnor dhe fiton finalen.

Roxher Federer, fitues i Australian Open 2017

AUSTRALIAN OPEN 2017 - Australian Open 2017, finale, Federer 6-4 3-6 6-1 3-6 6-3. Thuajse 6 vite pas finales së fundit Slam të luajtur në Paris në 2011-ën, Federer dhe Nadal luajnë finalen e 9-të të sagës. Është një ndeshje epike, që rishkruar historinë e rivalitetit të tyre. Nadal nuk është i përgatitur taktikisht për Federerin me trajner Ljubiçiç. Zvicerani dominon diagonalen e majtë dhe shpesh e vë në vështirësi Nadalin, që nuk arrin të shpërthejë. Emocione pa fund, nga një set për secilin deri në epilogun e ndeshjes. Nadal kalon përpara në fillim të setit të 5-të, por Federer e barazon dhe e mposht me një veprim shumë elegant. Rafa akuzon, pëson “doppio-break” dhe Federer fluturon drejt Slam-it numër 18.
INDIAN UELLS 2017 — Indian Uells 2017, 1/8-at, Federer 6-2 6-3. Pas më shumë se një muaji nga Melburni, takohen në 1/8-at dhe Federer arrin për herë të parë tri fitore radhazi ndaj Nadalit. Zvicerani e nis ndeshjen shumë mirë, ndërsa spanjolli nuk arrin ta ndjekë rivalin e tij, që i dominon të dy setet. Tani raporti i forcës mentale mes të dyve është nga ana e Federerit.

Federer dhe Nadal në Majemi 2017

MAJEMI 2017 – Majemi 2017, finale, Federer 6-3 6-4. Në Majemi janë në dy pjesë të ndryshme të tabelës dhe takohen në finale për sfidën numër 37. Seti i parë është i ekuilibruar, më pas Federer bën “break” me 4 goditje të forta. Zvicerani i mban 3 turne shërbimi me 0, ndërsa në barazimin 4-4 të setit të dytë bën “break” dhe mbyll ndeshjen.
SHANGAI 2017 — Shanghai 2017, finale, Federer 6-4 6-3. Është seria e fundit e sagës, është sfida e Shangait e tetorit 2017, kur Federer dominon sërish, 6-4 6-3. Federer nuk ndalet me 10 ejs dhe 9 pikë të humbura në 9 turne shërbimi në gjithë ndeshjen. Zvicerani është impresionues, fiton 50% të pikëve nga shërbimet spanjollit. Sot skena është për ta, në sfidën numër 39.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë