Politike

Rikthimi i miqësisë Rama-Erdogan, Turqia paralajmëron asgjesimin e gylenistëve në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama braktisi seancën e fundit të Parlamentit dhe menjëherë iu drejtua me avion Turqisë për të takuar presidentin Rexhep Taip Erdogan. Një vizitë e papritur që u komentua si një rikthim i miqësisë mes dy udhëheqësve, pas një kohe ftohjeje të marrëdhënieve.

Rama u prit në vilën rezidenciale të Erdogan në Marmara, ku së bashku me ministrin turk të Thesarit dhe të Ekonomisë diskutuan për bashkëpunimin mes dy shteteve dhe situatën në rajonin e Ballkanit.

Vizita e Ramës u shoqërua menjëherë me lëvizje konkrete nga ana e Ankarasë, ku ministri i Brendshëm turk, Süleyman Soylu zhvilloi menjëherë një vizitë zyrtare në Tiranë, duke pasur takime jo vetëm me homologun e tij, por edhe me kryeministrin Edi Rama.
Ministri turk Syoly bëri dhe një vizitë te Xhamia e Nazmagjasë, objekt kulti që po ndërtohet me fondet e qeverisë turke, ku përurimi për nisjen e punimeve u bë nga vetë Erdogan dhe kryeministri Edi Rama, katër vite më parë, por që ende nuk është përfunduar.

Ministri i Brendshëm turk, Süleyman Soylu gjatë vizitës në Xhaminë e Namazgjasë


Pikërisht kjo vizitë, që shënonte dhe kulmin e miqësisë mes Erdogan dhe Ramës do të shoqërohej edhe me kërkesën e prerë e dorëzimit të mbështetësve të Abullah Gylen, lëvizjes FETO-s, të njohur si gylenistë dhe që kanë shtrirje në Shqipëri me shkolla dhe investime.
Dhe në shkëmbim të kësaj lufte që Tirana zyrtare do të zhvillonte, ishte rritja e investimeve turke, si dhe ngritja e shkollave dhe universiteteve.

Presidenti Bujar Nishani, gruaja e tij Odeta dhe Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe gruaja e tij Emine, gjatë ceremonisë së fillimit të punimeve të xhamisë së Namazgjasë. Foto LSA


Qeveria shqiptare nuk e ndoqi menjëherë zbatimin e kërkesës për kthimin e gylenistëve, por përdori një politikë refuzuese me diplomaci dhe kjo bëri që mes Ankarasë dhe Tiranës të kishte një ftohje të marrëdhënieve. Kërkesa për dorëzimin e gylenistëve do të bëhej prezente në çdo vizitë zyrtare të ministrave turq në Tiranë. E tillë ishte edhe ajo e bërë publike nga Ministri i Jashtëm, Mevlut Cavusoglu gjatë vizitës në Tiranë dy vite më parë. Por ai do të refuzohej me diplomaci nga kryediplomati i asaj kohe, Ditmir Bushati.
Tashmë me rikthimin e miqësisë mes Erdogan dhe Ramës, sërish në skenë është rikthyer në plan të parë lista e gylenistëve, kthimi i atyre që Ankaraja zyrtare i cilëson si terroristë.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati gjatë një takimi me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlut Cavusoglu ne Tirane. foto LSA


Një gjë e tillë është pranuar nga vetë Ministri i Brendshëm turk i cili pas vizitës së tij në Tiranë, të zhvilluar dy ditë më parë, pati një reagim për Anadoly Agency, agjencia zyrtare e medias turke.
“Miqësia të cilën Edi Rama ka krijuar me presidentin tonë Recep Tayyip Erdoğan, si dhe bashkëpunimi të cilin e zhvillojnë ka sjellë arritjen e një momenti shumë të rëndësishëm qoftë në aspektin e shtetit, qoftë në nivel të popujve. U vlerësua edhe çështja e hedhjes së hapave të përbashkëta në luftën kundër të gjitha organizatave terroriste, përfshirë edhe FETO-n", tha Soylu për këtë Agjenci, duke treguar se në mbledhje janë marrë vendime serioze.

Ministri i Brendshëm më tej rikujtoi se është takuar edhe me homologun e tij shqiptar, Lleshaj, duke treguar se kanë folur për shumë çështje përfshirë trajnimin e njësive të sigurisë dhe si do të planifikohen hapat e ardhshme. Në takimet në Shqipëri, si çështje kryesore është diskutuar për organizatën terroriste FETO.

Rama gjatë takikimit me Ministrin e Brendshëm turk


"Qasja e zotit kryeministër, por edhe e Ministrit të Brendshëm, për këtë çështje (FETO) me të vërtetë na bëri të lumtur neve si shtet, edhe mua personalisht. Besoj se procesi në luftën kundër organizatës terroriste, qoftë në Shqipëri e qoftë në vendet tjera, do të rezultojë me sukses në favor të Turqisë. Vendosmëria jonë në këtë luftë, qoftë brenda vendit e qoftë jashtë vendit, do të vazhdojë ashtu siç ka qenë. U paraqit një qëndrim shumë konstruktiv. Shpresojmë që në ditët në vijim të gjithë së bashku do të shohim rezultatet e këtij qëndrimi konstruktiv", theksoi Soylu.
Në takimin e mbyllur për mediat mes dy delegacioneve të kryesuara nga Kryeministri Rama dhe ministri Soylu, sipas Anadoly Agency, u diskutua rreth Organizatës Terroriste FETO, luftës kundër krimit të organizuar dhe çështjeve të migracionit. Në takimin midis delegacioneve i pranishëm ishte edhe ambasadori Yörük dhe kreu i Zyrës për Luftën kundër Krimit të Organizuar (KOM) pranë Ministrisë turke të Punëve të Brendshme, Resul Holoğlu.

Rama në takim me ministrin turk

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë