Arsim

Rikthimi i ligjit të mjeksisë në komisione ‘zbut’ socialistët, mbështesin studentët. PD: Por në fund do votoni siç do partia

Nga Gazeta Si- Rikthimi i ligjit që detyron studentët e mjekësisë të qëndrojnë në Shqipëri pas përfundimit të studimeve i ka ulur tensionet në Komisionin e edukimit midis opozitës dhe maxhorancës.

Të gjithë anëtarët e komisionit, bashkë me 4 studentë që ishin pjesë si grup interesi ishin dakord që ligji duhet të rishikohet dhe të gjithë bashkë duhet të bien në dakordësi për një të mirë të përbashkët.

E para që foli ishte ish-ministrja e arsimit, tani zv/kryetare e komisionit të edukimit Evis Kushi e cila i parapriu diskutimit me fjalinë “nuk dua të bëj debat me ju”.

Më tej, Kushi shtoi se do të dëgjojë studentët që në fund të ketë një projektligj që ka dakordësinë e të gjithëve.

“Nuk dua debat me ju. Dua tu dëgjoj dhe do ju dëgjoj me kënaqësi që në fund të kemi dakordësi”, tha Kushi.

Në komision studentët kërkuan që si fillim të ketë ndryshime në të gjithë sistemin shëndetësor dhe se problematika nuk qëndron tek to.

“Ky ligj është mënyra më e shpejtë që ju të mbani këtu studentët. Duhet të bëhen investime së pari. Nuk keni parë shkakun pse ikin mjekët”, than♪7 studentët.

Gjithashtu ata theksuan se do të dëshironin që periudha e stazhit të përgjysmohet në 3 muaj si dhe të paguhen të gjitha kuotat e specializimeve.

Me këto dy kërkesa ishin dakord edhe anëtarët në radhët e Partisë Socialiste.

Ishte deputeti Florenc Spaho i cili tha se bie dakord me kërkesat e studentëve, ndërsa shtoi se, parë në syrin e studentëve “ndoshta këtë do bënim edhe ne”, referuar reagimeve të studentëve.

Edhe deputetja Lindita Buxheli ra dakord që studentët specializantë të paguhen si edhe që periudha e stazhit të ulet nga 6 muaj në 3 muaj.

“Jam dakord që të vazhdojmë me ndryshimet. Do gjejmë një të mirë të përbashkët”.

Dakord ishte edhe Dasantila Tahiraj e cila argumentoi se nisur nga interesi i lartë për shërbim, studentët duhet të kuptojnë se ka mungesa dhe nevoja për to, por ra dakord me kërkesat e studentëve.

Dakordësia e deputetëve të PS ka acaruar kryetaren e komisionit Ina Zhupa e cila tha se anëtarët mbështesin studentët në kërkesat e tyre por në fund votojnë siç ua kërkon partia.

“Jeni po ju që në fund votoni siç e do partia ndërkohë që këtu I mbështesni dhe u jepni të drejtë studentëve. Shpresoj që të reflektoni dhe të dëgjoni ndërgjegjen tuaj kur të votoni këtë herë”, tha Zhupa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë