Menaxhim

Rikthimi i basteve online, qeveria ‘mbron’ lojtarët

Nga Gazeta ‘SI’- Në pritje të rikthimit të ligjshëm të basteve sportive, qeveria ka miratuar një udhëzim për mbrojtjen e lojtarëve nga varësia e lojërave të fatit. Udhëzimi i miratuar në bashkëpunim midis ministrisë së Financave dhe Shëndetësisë, synon parandalimin e varësisë, mbrojtjen e lojtarëve dhe familjeve të tyre, rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe forcimin e përgjegjësisë së industrisë së lojërave të fatit.

Dokumenti përcakton katër programe kryesore që do të zbatohen në nivel kombëtar.

Programi i parë fokusohet në informimin, parandalimin dhe sensibilizimin. Në këtë kuadër do të krijohet një rubrikë e posaçme online në faqen e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF), ku lojtarët dhe familjarët do të gjejnë informacion mbi rreziqet e varësisë, shenjat dhe pasojat, mundësinë e vetëpërjashtimit dhe shërbimet e ndihmës. Parashikohen gjithashtu spote ndërgjegjësuese në media dhe rrjete sociale, si dhe programe edukative për të rinjtë dhe shtresat vulnerabël.

Programi i dytë lidhet me trajtimin dhe këshillimin. Ai përfshin linjë telefonike dhe këshillim online, të aksesueshëm edhe në mënyrë anonime, si dhe mbështetje profesionale për lojtarët dhe familjarët e tyre. Në rast nevoje, AMLF në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (MSHMS) referon rastet për trajtim psikologjik dhe social të specializuar.

Programi i tretë synon riintegrimin social të personave që vuajnë nga varësia e lojërave të fatit. Lojtarët do të përfshihen në aktivitete sociale, profesionale, kulturore, sportive dhe artistike, të organizuara nga institucionet publike, pushteti vendor, organizatat jofitimprurëse dhe partnerë ndërkombëtarë.

Programi i katërt parashikon trajnimin e detyrueshëm të stafit të subjekteve të licencuara të lojërave të fatit, për njohjen e shenjave të varësisë, pasojave dhe mënyrave të ndërhyrjes dhe referimit për ndihmë.

Udhëzimi përcakton një mekanizëm të strukturuar për kërkesat për ndihmë. Të drejtën për të kërkuar mbështetje e kanë vetë lojtarët, familjarët, operatorët, institucionet publike ose çdo person që ka informacion për një rast varësie.

Operatorët e licencuar detyrohen të vendosin në mënyrë të dukshme në ambientet fizike dhe në platformat online informacion mbi rreziqet e lojërave të fatit, lojën e përgjegjshme, probabilitetin real të fitimit dhe shërbimet e ndihmës për varësinë.

Materialet informuese nuk duhet të nxisin pjesëmarrjen në lojë, të keqinformojnë për rrezikun e varësisë ose të krijojnë perceptime të gabuara për fitimet. Operatorët duhet të hartojnë dhe financojnë programe mbrojtëse dhe të raportojnë çdo gjashtë muaj te AMLF mbi zbatimin e tyre dhe kërkesat për ndihmë të marra.

Institucionet e kujdesit shëndetësor trajtojnë varësinë nga lojërat e fatit si çështje shëndetësore, përmes protokolleve diagnostikuese dhe trajtuese, trajnimit të stafit dhe bashkëpunimit me shërbimet sociale. Ato do të realizojnë edhe studime periodike mbi përhapjen dhe faktorët e rrezikut, duke raportuar çdo gjashtë muaj te MSHMS dhe AMLF.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë