Nga Gazeta ‘Si’- Kjo e enjte rikthen deputetët në Kuvend. Pas disa javësh pauzë për shkak të fushatës elektorale dhe zgjedhjeve, ligjvënësit rikthehen, disa me bilanc fitoreje dhe të tjerë me rezultatin e humbjes.
Kuvendi do të vijojë veprimtarinë edhe për pesë javë të tjera për të mbyllur punët e lëna pas, para se të shpërndahet në fillim të korrikut duke ulur edhe siparin e kësaj legjislature.
Deri në mbylljen e legjislaturës në korrik, pritet të zhvillohen raportimet vjetore të institucioneve të pavarura, përfshirë edhe ato të drejtësisë.
Në orën 10:00, përpara seancës plenare, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka thirrur Konferencën e Kryetarëve, ku do të diskutohet kalendari i punimeve për javët e mbetura të sesionit parlamentar dhe ecuria e planit të veprimit të Kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian për periudhën janar-mars 2025.
Ndërkohë, opozita ka paralajmëruar se do të flasë për procesin zgjedhor të 11 majit, të cilin e konsideron një “farsë”. Një ditë më parë, Gazment Bardhi, një nga drejtuesit politikë demokratë me rezultatin më të dobët në zgjedhje, në një mesazh drejtuar kolegëve demokratë thoshte se “do të bëjmë gjithçka për ta paraqitur faktet e plota për farsën elektorale të 11 majit”.
Nga ana tjetër, PS do të mbledhë grupin parlamentar një orë para nisjes së seancës. Kreu i grupit, Niko Peleshi, në një mesazh drejtuar deputetëve, ka kërkuar pjesëmarrje dhe ka njoftuar se në fokus do të jetë organizimi i punës në komisione dhe seancat e fundit të kësaj legjislature.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.