Bota

Rikthehen rastet e reja me Covid, Britania mendon të shtyjë rihapjen me një muaj

Një muaj distancë sociale dhe më shumë kontrolle. Britania po planifikon të shtyjë rihapjen - e cila ishte planifikuar për 21 qershor - sipas burimeve qeveritare të raportuara për gazetën britanike “The Guardian”.

Lajmi vjen ndërsa rastet e koronavirusit në Angli janë në rritje. Dhe duket se po e bëjnë atë me një ritëm më të shpejtë sesa këtë dimër, raporton gazeta britanike.

Përpara njoftimit që kryeministri do të bëjë të hënën, një takim është planifikuar gjatë fundjavës midis Boris Johnson dhe tre ministrave të lartë: Kancelari, Rishi Sunak; Ministri i Zyrës së Kabinetit, Michael Gove; dhe Sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock.

Megjithëse nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar, ka të ngjarë që një vonesë prej "dy, deri në katër javë" do të jetë e nevojshme, ndërsa shkencëtarët flasin përsëri për një "kulm" të ri.

Infeksionet e reja ditore, tani po rriten nga 3% në 6% në të gjithë Anglinë, sipas të dhënave të publikuara 24 orët e fundit, duke treguar një normë rritjeje që nuk shihej që kur rastet filluan të rriteshin në fund të vitit të kaluar. Vala ushqehet nga rastet në Veri-Perëndim, ku shkalla e rritjes ditore, ka arritur në 8% dhe nga Londra dhe Anglia Lindore, ku epidemia po rritet midis 2% dhe 6%.

Në dritën e këtyre shifrave, Shoqata Mjekësore Britanike i ka kërkuar qeverisë të vonojë relaksimin e planifikuar të kufizimeve.

"Mbrojtja më e mirë nga vaksinat, arrihet vetëm rreth dy javë pas dozës së dytë, veçanërisht me variantin “Delta” dhe nuk do të kemi shum raste nga popullsia e mbrojtur në mënyrë adekuate deri më 21 qershor", - tha kryetari i bordit të BMA, Dr. Chaand Nagpaul.

Edhe 8,125 raste të reja me Covid u raportuan në Mbretërinë e Bashkuar të premten në 11 qershor, nivele që nuk janë parë që nga fundi i shkurtit.

Roli i variantit “Delta”

Ajo që është shqetësuese, është varianti "Indian", i riemëruar së fundmi "Delta".

Më shumë se 90 përqind e rasteve të reja të koronavirusit të gjetura në Britani, i përkasin këtij mutacioni të virusit. Autoritetet shëndetësore britanike raportojnë  se në Mbretërinë e Bashkuar, janë diagnostikuar 42,323 raste të variantit Covid-19 të zbuluara për herë të parë në Indi.

Kjo është një rritje prej 29,892 rastesh, krahasuar me një javë më parë, sipas të dhënave nga sistemi shëndetësor britanik.

Varianti “Delta” njihet se ka një rrezik 60 për qind më të lartë të transmetimit sesa varianti “Alfa”, i njohur gjithashtu si varianti “anglez”.

Vazhdimi i dozave të dyta

Vonesa në rihapje, duhet të kursejë kohë për të matur ndikimin e infeksioneve në shtrimet në spital dhe për të administruar dozën e dytë të vaksinës: siç tregohet në fund të majit, në fakt, varianti "indian" po përhapet me intensitet të veçantë midis të pavaksinuarve dhe vaksinuarve me një dozë e vetme.

Siç është raportuar në një studim të fundit nga Shëndeti Publik Anglez, në fakt, vaksinat Pfizer-BioNTech dhe AstraZeneca kundër Covid-19, janë "shumë efektive" kundër sëmundjes simptomatike të shkaktuar nga varianti “Indian” (B.1.617.2), por vetëm pas administrimit të dozës së dytë.

Një dozë e vetme e të dy produkteve, nga ana tjetër, ofron mbrojtje mjaft të kufizuar: vetëm 33% kundër variantit indian krahasuar me 50% efektivitet kundër variantit “britanik”. Megjithatë, me injektimin e të dyja dozave, niveli i mbrojtjes është i lartë dhe i ngjashëm përballë të dy mutacioneve.

Deputetët konservatorë, të cilët ishin optimistë për perspektivën e 21 qershorit në fillim të javës, tani thonë se ata janë pesimistë. Një burim i Whitehall, i tha “The Guardian”, se vonesa për rihapjen "do të ofronte mbrojtje shtesë për një pjesë të madhe të popullsisë", pasi efektiviteti i vaksinës kundër variantit “Delta” rritet nga 33% në dozën e parë, në rreth 80% me të dytën.

"Me vonesën, një numër i konsiderueshëm i njerëzve, mund të shmangin shtrimin në spital," - shtoi ai.

Një burim tjetër, theksoi rëndësinë e sigurimit që të gjithë personat mbi 50 vjeç dhe njerëzit e cenueshëm klinikisht, duhet të vaksinohen.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë