Ngjarje

Kthehen jelekverdhët në Paris, sulmojnë zyrat e qeverisë

Rikthehen përleshjet dhe tensioni mes policisë dhe xhaketave të verdha në Francë. Agjentët e policisë përdorën gaz lotsjellës në Beauvais, në veri të Parisit dhe në Montpellier për të shpërndarë demonstratat, ndërsa në Saint Malo policia kishte dëbuar demonstruesit që penguan hyrjen në port, duke ndaluar dy vetë. Në Beauvais, ku ndodhet një nga aeroportet në rajonin e Parisit, policia ka përdorur gaz për të parandaluar marshimin nga qendra.

Disa manifestues u plagosën para Muzeut D'Orsay në Paris, ku u mbajt një prej protestave. Sipas demonstruesve, të plagosurit, të ndihmuar nga ekipet e ndihmës së shpejtë më pas, u goditën nga policia me të ashtuquajturat "topa të nxehtë", predha jo vdekjeprurëse, kur ata ishin pranë një barke që mori flakë.

Në total 103 persona u ndaluan dhe për 101 prej tyre paraburgimi u shndërrua në gjendje arresti. Sot ishte "akti i VIII" i protestës kundër Presidentit Emmanuel Macron, protestë e cila filloi më 17 nëntor të vitit të kaluar si një lëvizje kundër rritjes së taksave të karburantit.

Ndërkohë, një grup prej 15 personash, disa të veshur me xhaketa të verdha, thyen derën e ministrisë së Marrëdhënieve me Parlamentin, ku ndodhet zyra e zëdhënësit të qeverisë. Benjamin Griveaux, zëdhënës i ekzekutivit dhe disa punonjës janë evakuuar nga forcat e sigurisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë