Të gjithë kemi pasur bluza të bëra nga gjyshja, ndoshta sepse ishte e vetmja mënyrë për të qëndruar të ngrohtë. Gjithashtu janë dhe ato veshjet popullore që dikur visheshin nga femrat e sot nuk vishen më... përjashtuar rastin kur marka të ndryshme i risjellin dhe i bëjnë pjesë të trendit.
Këtë gjë e kanë bërë Arilda dhe Joana, dy shoqe të cilat menduan të hapin një biznes bashkë si shenjë e shoqërisë dhe gjëja e parë që menduan ishte një linjë veshjesh. Menjëherë pas kësaj filluan kërkimet dhe idetë.
Meqenëse asnjëra nuk e ka në profesion modën, me Arildën që ka mbaruar Universitetin për Marrëdhënie ndërkombëtare dhe Joanën që ka mbaruar për Arkitekturë, menduan që përvec stilit që do të ishte i tyri, veshjet të vijnë dhe me një mesazh. Kështu vendosën të sillnin një firmë me parimet e qëndrueshmërisë, gjithashtu dhe të frymëzohen nga parimet e traditës dhe ky ishte elementi kryesor ku u frymëzuan.
Kështu sollën “Amargin”, një markë veshje në Shqipëri ku ndërthuret tradicionalja me modernen.
“Gjëja e parë që vendosëm ishte emri dhe Amargi në gjuhën siberiane do të thotë "rikthim te nëna", thotë Joana.
Koleksioni i parë ka ardhur i frymëzuar nga veshjet mirditore duke qenë se dhe vetë janë nga Mirdita.
Pasi përfunduan me këto elementë, një proces tjetër ishte dhe gjetja e copës pasi donin copë të bërë me tezgjah, jo të fabrikuar. Këtë copë e siguruan nga një punishte në Lezhë.
“Si copë bazë kemi mbajtur copën pana”, tregon Joana.
Ndërkohë shpenzimet më të mëdha janë bërë për sigurimin e copës dhe bërjen e prototipave të para.
Investim ka pasur dhe tek setet fotografike duke qenë se janë vetëm online dhe mundohen të jenë sa më perfekte aty që edhe të kuptohet veshja dhe dimensionet e saj.
Vajzat kanë bashkëpunuar dhe me blogere të cilat e kanë përqafuar menjëherë idenë e tyre.
“Shitja me blogere ka shumë sukses. Adrola Dushi është një nga modelet që ka veshur koleksionin e Amargit dhe ka pasur mjaft sukses”.
Çmimet varjojnë nga 40 Euro në 370 Euro që kushton një pallto e koleksionit 2020. Është një stil elegant, minimalist, modern. Gjithsesi vajzat krijojnë në varësi të frymëzimit të tyre, pa u fokusuar në një stil të vetëm.
Koleksioni i dytë është frymëzuar nga rrobat popullore Tiranase duke qenë se ato kanë një copë më të hollë pasi koleksioni i dytë ishte veror.
Ndërsa tek koleksioni i tretë janë fokusuar tek përpunimi i leshit të deles, një procedurë e bërë me dorë nga një grua dhe tek trikot e bëra me shtiza.
Koleksioni i tretë përkoi dhe me pandeminë. Por fatmirësisht, siç thotë Joana, nuk ndikoi aspak në shitjet e tyre.
Joana tregon se klientet e para i ka pasur nga Diaspora dhe njerëz që jetojnë në Itali, Gjermani për disa arsye siç janë faktori ekonomik, lidhja me traditën, “malli për vendin që e bëjnë të blejnë një produkt shqiptar që të ndjehen pak më afër”.
Reagim pozitiv kanë pasur nga Kosova dhe Maqedonia.
Duke qenë se Joana është rritur në një familje ku tradita ka qenë parësore, ajo gjithmonë ka pasur dëshirë të sjellë traditën në botën moderne e sidomos në botën e modës.
Për të bërë punën, vajzat bashkëpunojnë me 10 gra të cilat mbasi Amargi merr porositë, të gjitha lidhen me njëra tjetrën që në fund të dalë produkti ku siç Joana tregon, gjithmonë ka qenë pozitiv duke marrë parasysh reagimet e klientëve.
Vajzat e Amargit besojnë se shumë shpejt marka e tyre do të njihet akoma dhe më shumë falë punës së tyre, idesë dhe produktit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.