Drejtësia

Rihapet “21 janari”, vrasja e Aleks Nikës ende pa autor pas 10 vjetësh

Kur kanë kaluar më shumë se 10 vjet nga ngjarjet e “21 janarit, janë rihapur hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, e mbetur ende pa autor dhe plagosjen e dy protestuesve të tjerë.   

Me kërkesë të Policisë së Tiranës, Prokuroria e kryeqytetit po vijon me veprime konkrete prej më shumë se një muaji, ku hetimet kanë filluar nga e para.

LEXO EDHE:
– 21 janari/ 9 vite nga vrasja e 4 protestuesve, familjarët presin drejtësi
– Ç’ndodhi më 21 janar? Saga e një (pa)drejtësie pa fund

Hetimi për vrasjen e Nikës ishte pezulluar, pasi nuk kishte asnjë autor të dyshuar, edhe pse në janar të këtij viti u kërkua një riekspertim për plumbin që e qëlloi.

I riu nga Lezha u plagos rëndë me plumb në kokë para selisë së Kryesisë së Kuvendit dhe gjeti vdekjen dy javë më pas në Turqi në një spital. Po ashtu, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, ka nisur shqyrtimin e padisë së ngritur nga familjarët e të ndjerit.

Drejt institucioneve të Shqipërisë, është dërguar dhe dosja me kërkesat që ka Strasburgu për procesin e nisur nga prokuroria dhe drejtësia në vendin tonë.

Familjarët akuzojnë Shqipërinë për një mungesë hetimi efektiv për zbardhjen e ngjarjes dhe për mohimin e aksesit të familjarëve në fazën hetimore të procesit.

Ndërkohë institucioni i ‘Avokokaturës së Shtetit’ me anë të një letre zyrtare drejtuar Gjykatës së Tiranës, ka kërkuar informacion për pyetjet që gjykata e Strasburgut ka dërguar në lidhje me hetimin e Aleks Nikës.

Aleks Nika është një nga 4 protestuesit e vrarë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në vitin 2011 nga Garda e Republikës gjatë protestës së opozitës që drejtohej nga kryeministri aktual Edi Rama.

Për vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës, Gjykata e Apelit të Tiranës dënoi ish-kreun e gardës Ndrea Prendi me 1 vit burg dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite e pak muaj.

Partia Socialiste akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha si urdhërues të vrasjeve të protestuesve.

Ndërsa Berisha e cilësoi “21 janarin” si një tentativë për grusht shteti, duke deklaruar se garda ka mbrojtur institucionin shtetëror dhe se ka zbatuar vetëm ligjin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë