Ngjarje

21 janari/ 9 vite nga vrasja e 4 protestuesve, familjarët presin drejtësi

Sot bëhen 9 vite nga 21 janari i përgjakshëm, ku gjatë protestës së opozitës së majtë u vranë katër protestuesit Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ashtu si në çdo vit ceremonia u zhvillua para Kryeministrisë, por familjarët e viktimave i priti kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ndërsa të pranishëm ishin ministra dhe deputetë që bënë homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ndryshe nga herët e tjera në këtë ceremoni mungoi kryeministri Edi Rama, pasi ndodhet në një vizitë zyrtare jashtë shtetit.

Në krye të ceremonisë ndryshe nga herët e tjera nuk ishte kryeministri Edi Rama, por kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Mos prezenca e Ramës ka ndikuar që të mos jenë të pranishëm as edhe një pjesë e ministrave të qeverisë, ndërsa të pranishëm do të ishin deputetët socialistët. Dhe ceremonia e homazheve ishte e heshtur dhe e shkurtër dhe nuk kishte fjalimet që Rama mban çdo vit përpara familjarëve. Pas këtij rituali, Balla ka marrë familjarët për t’i pritur jo më në Kryeministri, por në Kryesinë e Kuvendit.

Familjarët e katër viktimave ende shpresojnë në një drejtësi për ngjarjen e rëndë të 21 janarit 2011. Ngritja e institucioneve të reja të drejtësi, SPAK mund të ndezë shpresat te familjarët që kjo çështje të rihetohet.

Edi Rama dhe familjarët e katër viktimave, duke vendosur karafila në pllakat e bronztë ku u vranë Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Aleks Nika dhe Hekuran Dedaj (Foto nga ceremonia e vitit të shkuar)


Gjykata për këtë ngjarje vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite. Ajo që nuk është përcaktuar ende është arma nga u qëllua Aleks Nika, sepse plumbi që kishte bërë rikoshet rezultoi mjaft i dëmtuar. Ndërkohë që para dy viteve dosja u rikthye sërish në gjykatë. Garda e Republikës rikthen procesin e 21 Janarit në gjykatën e Tiranës duke i kërkuar ish-kreut të saj Ndrea Prendit dhe gardistit Agim Llupo të kthejnë në arkën e gardës faturën prej 2.1 milionë euro që Garda ka paguar si dëmshpërblim për viktimat e 21 janarit. Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika, të vrarë me duar në xhepa në protestën e 21 Janarit 2011 janë shpallur ‘Dëshmorë të Atdheut’.
Më 21 janar të 2011 opozita organizoi një protestë masive marshimi dhe shkak për këtë u bë nxjerrja e videos Meta-Prifti nga emisioni investigativ “Fiks Fare”, ku Ilir Meta bisedonte me ish-ministrin e asaj kohe Dritan Prifti dhe shfaqej me bllok në dorë për pazare deri 700 mijë USD. Në këtë protestë që pati fillimisht dhe tentativë për të rrëzuar murin rrethues të Kryeministrisë, qeveria e kryesuar nga Berisha në atë kohë e cilësoi këtë si një tentativë për të krijuar një puç institucional, duke akuzuar kryeprokuroren e kohës Ina Rama dhe presidentin Bamir Topi. Ndërsa Berisha do të deklaronte se policia dhe garda bënë detyrën në mbrojtjen e institucioneve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë