Ngjarje

Rihapen pikat kufitare, radhë kilometrike në kufirin Kosovë-Shqipëri

Kosova dhe Shqipëria kanë hapur pas tre muajsh kufijtë për qytetarët, duke sjellë një radhë prej më shumë se dhjetë kilometrash, mes paqartësive për rregullat e lëvizjes.

Vendimi për rihapjen e pikave kufitare u mor në mbledhjen e mbrëmshme të qeverisë në detyrë të Kosovës, pas njoftimit se Shqipëria do të hapë kufijtë më 1 qershor. Ky vendim i momentit të fundt që do të mundësojë lëvizjen e pushuesve, ka shkaktuar jo pak kaos në pikat kufitare.

Sipas një njoftimi të Policisë së Shtetit, të gjitha qytetarët nga Republika e Kosovës do të lejohen të hyjnë, por në qoftë se nuk posedojnë konfirmim zyrtar brenda një afati kohor prej 4 ditësh që janë “negativ” me Covid-19, atëherë duhet të plotësojnë formularin përkatës për vetëkarantinim për një periudhë 7-ditore, ndërsa kamionët duhet t’i nënshtrohen procesit të dezinfektimit para se të hyjnë në territorin kosovar. Duke komentuar radhën në kufijtë mes dy vendeve, kryeministri Edi Rama e cilësoi si të çuditshëm bllokimin e automjeteve shqiptare tona në kufirin e Kosovës.

Më vonë gjatë ditës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike të Kosovës ka njoftuar se ka pezulluar kontratën për dezinfektimin e mauneve në pikat kufitare. Sipas njoftimit, maunet nuk kanë nevojë më të dezinfektohen si masë parandaluese ndaj pandemisë Covid-19. “Pezullohet kontrata për dezinfektimin e mauneve që vijnë në Republikën e Kosovës. Dezinfektimi i kamionëve parashihej në kuadër të masave për luftimin e pandemisë së Covid-19. Nga ky moment importuesit nuk kanë nevojë t’i dezinfektojnë maunet në pikat kufitare”, thuhet në njoftimin e MPBAP.

Që në orët e para të ditës, në pikëkalimin kufitar të Vërmicës, u krijuan kolona të gjata të automjeteve. Adriatik Stavileci, nga Zyra për media e Doganës së Kosovës tha se radhën e shkaktonin kamionët e kompanive që refuzonin të paguajnë tarifën prej 22 eurosh për dezinfektim të mauneve.

Importuesit e mallrave nga Shqipëria, janë hedhur në protestë pasi u është kërkuar të bëjnë dezinfektimin e automjeteve në hyrje të kufirit doganor në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ka kolona të gjata në kufirin Kosovë-Shqipëri, për shkak se kompanitë po hezitojnë të bëjnë pagesat për dezinfektim të maunave”, theksoi Stavileci.

Radha prej dhjetë kilometrash u komentua edhe nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili shkruan se Rama, po torturon shqiptarët në të dyja anët e kufirit.

Kosova dhe Shqipëria mbyllën kufirin më 13 mars, pas zbulimit të më shumë se 20 rasteve në vendin tonë, periudhë në të cilën Kosova ishte ende me zero të infektuar. Për gati tre muaj, të vetmet që janë lejuar të hyjnë ishn automjetet e ndihmës së shpejtë.

Pikat kufitare që janë rihapur sot janë: Merdare, Vërmicë, Kullë, Hani i Elezit, Dheu i Bardhë dhe Jarinje. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi ka njoftuar se të parët që do të lejoheshin që të kalonin ishin qytetarët e Kosovës të cilët kanë leje qëndrimi apo shtetësi shqiptare.

Ato do të lejohen të udhëtojnë për t’u vendosur në pronat e tyre me kushtin që të vetëizolohen në shtëpitë e tyre, duke respektuar rregullat e qytetit ku do të qëndrojnë.

“Kjo nuk do të thotë që ata nuk mund të dalin jashtë shtëpive dhe banesave të tyre për të kryer shërbime në orare të caktuara siç është për të gjithë qytetarët shqiptarë”, tha Minxhozi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë