Gazeta Si – Dy gra dhe 3 fëmijë shqiptarë, janë riatdhesuar vullnetarisht nga Siria, në një operacion të përmbyllur më 26 gusht 2026.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bëri me dije se operacioni u realizua pas një pune të gjatë dhe koordinimi mes institucioneve shqiptare, përfaqësive diplomatike e konsullore dhe autoriteteve të vendeve të përfshira.
Ata qëndronin në kampet e ferrit në Siri që prej luftës civile atje në 2014. Mes të riatdhesuarve është një 79-vjeçare, Hajrije Taushani, e cila kishte udhëtuar drejt Sirisë pas humbjes së djalit të saj, i larguar për t’iu bashkuar ISIS-it.
Ajo kishte shkuar me qëllim marrjen dhe kujdesin për nipërit e saj. Pas rënies së strukturave territoriale të ISIS-it, e moshuara kishte qëndruar në kampin Al-Hol, në kushte veçanërisht të vështira jetese, duke vijuar të kujdesej për fëmijë të mitur, përfshirë edhe dy fëmijë jetimë që ndodheshin nën kujdesin e saj.
Pjesa tjetër e të riatdhesuarve janë nga Rrogozhina. Mes tyre edhe Myrvete Dibra.
Në Rinas për pritjen e tyre ishin ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, Koordinatorja Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Lejdi Dervishi, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.
“Mirë se u kthyet në shtëpi!”, shkroi Lamallari, duke publikuar edhe pamje nga mbërritja e tyre.
Pas mbërritjes në Shqipëri, pesë të riatdhesuarit do t’u nënshtrohen kontrolleve shëndetësore dhe vlerësimeve psikosociale. Më pas do të vijojë procesi i akomodimit, rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre në shoqëri.
Deri tani, 43 shqiptarë janë riatdhesuar në total, ndërsa në Siri dyshohet se janë edhe 17 shqiptarë të tjerë të cilët kanë qenë në kampet siriane, gra dhe fëmijë, kryesisht jetimë, si dhe 10 burra të tjerë shqiptarë në burgje dhe një pjesë tjetër të cilëve nuk u dihet fati.
Ministria e Jashtme thotë se Task-Forca ndërinstitucionale do të vijojë procesin për kthimin e shtetasve të tjerë shqiptarë që ndodhen në Siri.
Operacioni i fundit i riatdhesimit ishte ai i Eva Dumanit më 14 shkurt, e cila mundi të bashkohet me nënën dhe vëllain në Tiranë, 12 vite pasi u rrëmbye nga babai i saj xhihadist.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje