Politike

Kalon në OKB rezoluta e Shqipërisë dhe SHBA, Serbia voton kundër Rusisë. Rama: Bashkim i Ballkanit me Perëndimin

Gazeta Si - Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar këtë mbrëmje rezolutën që i kërkon Rusisë të ndalë sulmin ndaj Ukrainës dhe të tërheqë trupat e saj. Votat ishin 141 pro, 5 kundër dhe 35 abstenim. Në favor të rezolutës ka votuar edhe ambasadori serb, shtet që ka mbështetur gjithnjë Rusinë në vendimet e saj.

Asambleja e Përgjithshme u thirr me propozim të SHBA-ve dhe Shqipërisë, pasi rezoluta nuk u miratua në Këshillin e Sigurimit, megjithatë ajo nuk ka fuqi detyruese.

Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale, përshëndeti këtë votim duke thënë se 141 shtete ndëshkuan me votën e tyre Rusinë, ndërsa nuk la pa vënë në dukje votën pro të Serbisë. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, vota e Serbisë kundër Rusisë unifikon Ballkanin Perëndimor me Perëndimin.

“141 vende ndëshkojnë Rusinë me votimin e tyre në OKB kundër agresionit ndaj Ukrainës! Rusia hyn në periudhën e vetmisë më të madhe të historisë së saj me veç 4 vende ultradiktatoriale që i qëndrojnë në krah! Vota e Serbisë kundër Rusisë unifikon Ballkanin Perëndimor me Perëndimin”.

Xhaçka: Bota foli, diktatori duhet të dëgjojë njerëzimin

Menjëherë pas këtij vendimi ka reaguar ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka. “Bota ka folur kundër agresionit rus! Diktatori i Rusisë duhet të dëgjojë njerëzimin”, shkruan ajo.

141 anëtarë votuan pro rezolutës ndërsa 5 kundër. 35 shtete abstenuan. Mësohet se vendet që kanë votuar kundër rezolutës kanë qenë Rusia, Koreja e Veriut, Eritrea, Siria dhe Bjellorusia.

Ambasadori ukrainas në OKB: Putini si Hitleri

Në një fjalim që u mbyll rreth orës 18:00 të kësaj të mërkure, ambasadori i Ukrainës në OKB u shpreh se votimi i kësaj rezolute do të ishte një “moment përcaktues për brezin tonë”.

Sergiy Kyslytsya ee ka krahasuar liderin rus Vladimir Putin me ish-diktatorin nazist gjerman Adolf Hitler, shkruan britanikja “The Guardian”.

Duke folur në OKB, ai tha se pushtimi rus i Ukrainës ka për qëllim “të privojë Ukrainën nga e drejta për të ekzistuar”. “Ata kanë ardhur për të zgjidhur çështjen e Ukrainës,” tha ai.

“Më shumë se 80 vjet më parë, një tjetër diktator u përpoq të zgjidhte përfundimisht çështjen e një populli tjetër. Ai dështoi kur bota u përgjigj në një mënyrë të vendosur dhe të bashkuar”, u shpreh Kyslytsya.

Ndërkohë, zyra e Jashtme gjermane shkruan në Twitter: “Me zë të lartë dhe të qartë: Bota kërkon armëpushim të menjëhershëm nga Rusia. Miratimi dërrmues në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku 141 shtete votojnë pro, 5 kundër.  "Asambleja e Përgjithshme ka hedhur poshtë me shumicë dërrmuese pushtimin e Ukrainës nga Presidenti Putin dhe bëri thirrje për paqe. Bota qëndron e bashkuar në mbrojtjen e ligjeve dhe parimeve mbi të cilat bazohet paqja dhe siguria ndërkombëtare. Ne qëndrojmë me Ukrainën”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë