Irena Beqiraj

Revolucioni “Të ngremë një të vdekur të hajë pulë të pjekur”!


“You either die or you triumph and there is no alternative”. Ose vdes ose triumfon, nuk ka tjetër alternativë.

Kjo është mantra e pushtetit, e cila vjen që nga kohët e Perandorive, ku lideri edhe pse Perandor e dinte mirë çfarë pritej nga ai - Triumfi.

Asgjë nuk ka ndryshuar në luftën politike sot. Ose triumfon ose vdes politikisht.

Të triumfosh politikisht nuk mjafton të denoncosh, nuk mjafton të çirresh që ti po mbron interesin kombëtar, nuk duhet vetëm të tregosh sa i korruptuar apo sa keq po menaxhon kundërshtari. Mbi të gjitha duhet të tregosh se je në gjendje të zëvendësosh qeverisjen aktuale me një alternativë më të mirë, me ide më të mira, udhëheqje më të mirë, komunikim më të mirë, demokraci më funksionale.

Në 7 vitet e fundit, loja politike që luhet në qytet, ka vetëm një humbës të madh edhe për më keq një të mundur konsekutiv, ai është lideri i opozitës. Në greminën e humbjes po tërheq të djathtën, e cila nën drejtimin e tij nuk ofron asnjë alternativë të besueshme. Mjafton të kujtojmë që për 4 muaj, në Çadrën e Bulevardit demokratët u premtonin shqiptarëve Republikën e re. Republikën që  do ta ndërtonin me listën e kryetarit, i cili me mendjelehtësi nuk ngurroi të përqeshte jo vetëm demokratët, por gjithë shqiptarët, duke përfshirë në listën e Republikës “më premtuese të të gjitha kohërave” edhe zonjën e “Kërpëratës së Investimeve”.

Lufta e të djathtës apo revolucioni është përpjekje e dëshpëruar për të bërë një lider të vetëvrarë politikisht kryeministër, i cili ngriu dhe shkriu në zgjedhjet partiake, duke minuar demokracinë brenda partisë. Një lider që shquhet për paqëndrueshmërinë e tij taktike dhe strategjike, duke endur opozitën rrugëve për një vit, në një luftë të humbur që në ditën e parë. Lideri i opozitës nuk ka asnjë kapacitet të qëndrojë në këmbë para popullit të vet, edhe për këtë arsye lehtësisht mund të  përulet në gjunjë në kërkesën e parë të ndërkombëtarëve.

Revolucioni me objektivin “të ngremë një të vdekur të hajë  pulë të pjekur” është një shaka e marrë.

Lideri i të djathtës ka “vdekur” politikisht, nuk triumfon dot më. Nderojeni siç nderonin dikur faraonët!  Balsamoseni kujtimin e tij  në librin e historisë së të djathtës, por “varroseni” një herë e mirë alternativën e tij, ka vdekur me kohë. Një alternativë të re mundohuni të mbillni, të ushqeni dhe lulëzoni nëse mundeni. Ky është progresi që pret ky popull nga ju.


Copyright © Gazeta “Si”