Lojëra me Dore

Revolucion në tenis, pas Uimbëlldonit do të lejohet “coaching”

Gazeta Si – Në pjesën e dytë të sezonit do të bëhet një eksperiment në tenis, fillimisht atë tëmeshkujve (ATP). Lojtari dhe trajneri i tij mund të komunikojnë gjatë ndeshjes.

Më 10 korrik shpallet fituesi i turneut të Uimbëlldonit. Një ditë më pas do të hapet një faqe e re në historinë e ATP. Është menduar të bëhet një eksperiment për disa muaj, deri në fund të 2022-shit.

Pastaj do të bëhet bilanci për të përcaktuar çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Bëhet fjalë për “coaching”, një temë kontroverse që prej kohësh ka sjellë shumë debate në tenis. Pra, po flasim për komunikimin mes lojtarit dhe trajnerit, aktualisht i ndaluar.

Apostolos Tsitsipas, babai-trajneri i Stefanos Tsitsipas, i akuzuar shpesh per ‘sugjerime’ te ndaluara. Gazeta Si, 22 qershor 2022

Në gjysmën e dytë të sezonit ky komunikim do të lejohet. Por kujdes, nuk është një komunikim pa limit. Nuk mund të imagjinohet një Apostolos Tsitsipas, – një emër jo i rastësishëm, – që flet më të birin në çdo moment të ndeshjes.

Kemi të bëjmë me një hap të parë. ATP ka përcaktuar edhe rregullat e kësaj norme të re në tenis, që do të aplikohet edhe në US Open, turneu i fundit Slam i vitit.

Komunikimi verbal do të lejohet vetëm kur lojtari gjendet në atë pjesë të fushës, ku ai ka vendin e tij të qëndrimit. Komunikimi gjithashtu ka të bëjë me pak fjalë ose fjali të shkurtra, jo me një dialog të mirëfilltë.

Është e qartë se nuk mund të ndërpritet loja dhe të krijohen pengesa për kundërshtarin. Nuk mund të komunikohet kur lojtari lë fushën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë