Ka ndodhur

Reshjet, Shkumbini e Vjosa dalin nga shtrati, probleme në disa akse rrugore

Shqipëria është përfshirë në dy ditët e fundit nga reshje të shumta shiu, dëbore e breshëri, çka ka vështirësuar qarkullimin në disa akse rrugore, ka përmbytur disa zona dhe ka nxjerrë lumenjtë nga shtrati.

Në Elbasan ka dalë Lumi Shkumbin në fshatin Malasej, njësia administrative Gjergjan. Niveli i ujit ka bërë që të lëshohet alarmi se prurjet e mëdha të këtij lumi mund të mos përballohen nga shtrati i tij në zonën e Divjakës, duke rrezikuar me mijëra hektarë tokë bujqësore.

Prurjet në lumin Vjosa vazhdojnë të jenë të mëdha duke bërë që në disa pika të ketë edhe dalje nga shtrati. Shirat vijojnë të jenë me intensitet të lartë në zonën e Çarshovës dhe në majën e Pindit. Në zonën e Përmetit niveli i Vjosës ka arritur 5.3 m, ndërkohë që pika kritike është 5.4.

Kjo situatë mund të sjellë përmbytje në orët në vijim ndërkohë që situata po monitorohet në terren, dhe pikërisht në urën e Mifolit. Niveli i lumit Vjosë aktualisht është në 6.34 metra çka ka sjellë edhe përmbytjen e tregut të gjësë së gjallë në Novoselë.

Në Gjirokastër ka dalë nga shtrati përroi Lënxës në fshatin Lazarat, duke krijuar probleme në qarkullimin e njerëzve dhe makinave që lidhin dy lagjet kryesore të këtij fshati.

Ndërsa problematike qëndron situata në aksin rural Kolonjë-Golem ku rënia e gurëve dhe dherave nga lartësitë si pasojë e shirave kanë krijuar bllokimin e rrugës. Momentalisht banorët e Golemit gjenden të izoluar nga pjesa tjetër e vendit si rrjedhojë e kësaj situate.

Ndërkohë pa energji elektrike kanë mbetur disa fshatra të Njësive Administrative Cepo, Picar dhe Lazarat në Gjirokastër. Si dhe në fshatrat e Njësisë Administrative Lopës, Luftinjë e Buz në Tepelene e Memaliaj, si dhe fshatrat në Sukë, e Frasër në Përmet.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se nga të dhënat e raportuara nga emergjencat civile, reshjet e shumta të shiut kanë sjellë problematika në disa zona të vendit. Si rezultat i reshjeve të shiut dhe dëborës ka pasur probleme në qarkullim edhe në Rrugën e Arbrit, e sapohapur për qarkullim.

Përmbytje ka pasur edhe në Tiranë në rrugën ‘5 Maji’, ku janë rrezikuar disa banesa dhe në rrugën Don Bosko.

Në Shkodër ka patur reshje shiu me intensitet mesatar. Në aksin rrugor Tamarë- Qafa e Bërdalecit ka pasur rënie gurësh dhe inerte. Në Qarkun e Durrësit si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë ka një fryrje të lumit Erzen në zonën e Sukthit.

Sakaq në Qarkun e Dibrës, në fshatin Vinjoll, njësia administrative Lis, është dëmtuar Ura e Kaçes, e cila është rrëmbyer nga prurjet e përroit të Zallit dhe është bërë e pakalueshme. Rreth 10 familje janë të izoluara dhe nuk komunikojnë dot me qendrën e fshatit dhe as me qendrën e njësisë administrative.

Në Qarkun e Elbasanit si pasojë e reshjeve që vazhdojnë dhe e prurjeve të mëdha të ujit ka dalje të ujërave të përroit të Gurrës në njësinë administrative Shushicë dhe dalje të lumit Shkumbin në Malasej, njësia administrative Gjergjan, ku janë nën ujë gati 1 ha toka bujqësore.

Në aksin rrugor Librazhd-Zgosht ka pasur rënie të gurëve në trupin e rrugës. Nga qarqet e tjera të vendit nuk janë raportuar probleme për shkak të kushteve të motit.

Situata në vend sipas Emergjencave Civile

Qarku Shkodër
Në Shkodër ka patur reshje shiu me intensitet mesatar. Në aksin rrugor Tamarë- Qafa e Bërdalecit ka pasur rënie gurësh dhe inerte.

Qarku Durrës
Në Qarkun e Durrësit si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë ka një fryrje të lumit Erzen në zonën e Sukthit. Situata po monitorohet nga Prefekti i qarkut Durrës.

Qarku Dibër
Sakaq në Qarkun e Dibrës, në fshatin Vinjoll, njësia administrative Lis, është dëmtuar Ura e Kaçes, e cila është rrëmbyer nga prurjet e zallit dhe është bërë e pakalueshme. Rreth 10 familje janë të izoluara dhe nuk komunikojnë dot me qendrën e fshatit dhe as me qendrën e njësisë administrative.

Qarku Elbasan
Në Qarkun e Elbasanit si pasojë e reshjeve që vazhdojnë dhe e prurjeve të mëdha të ujit ka dalje të ujërave të përroit të Gurrës në njësinë administrative Shushicë dhe dalje të lumit Shkumbin në Malasej, njësia administrative Gjergjan, ku janë nën ujë gati 1 ha toka bujqësore.

Në aksin rrugor Librazhd-Zgosht ka pasur rënie të gurëve në trupin e rrugës. Nga qarqet e tjera të vendit nuk janë raportuar probleme për shkak të kushteve të motit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë