Menaxhim

Reshjet rritën nivelin e Fierzës në kuotën 267.4 metra nga pika kritike 259

Reshjet e ditëve të fundit kanë përmirësuar ndjeshëm situatën hidrike në liqenin e Fierzës, duke rritur nivelin e hidrocentralit nga pika kritike 259 metra në 267.46.

Pas një thatësire të gjatë që solli edhe zbrazjen e liqenit, niveli i liqenit të Fierzës, i cili shërben si rregullator edhe për dy hidrocentralet e mëdhenj mbi kaskadën e Drinit, të Vaut të Dejës dhe të Komanit, po i afrohet pikës optimale.

Sipas të dhënave për 5 prillin nga Korporata Elektroenegjetike Shqiptare, nivelet e liqeneve të hidrocentraleve në kaskadë janë konkretisht 173.38 metra për Komanin dhe 74.71 për Vaun e Dejës.

Prurjet kanë rënë ndjeshëm krahasuar me disa ditë më parë.

Në Fierzë ato janë 405 nga 800 m3/s që ishin më 2 prill, në HEC Koman 180 nga 650 m3/s dhe në Vaun e Dejës 20 nga 120m3/s.

KESH bëri të ditur se prodhimi ditor në të tre HEC-et është: 9663 MWh (ditor).

Pika optimale në liqen është 271 metër, minimale 244 metra ndërsa ajo maksimale kur ka reshje të bollshme shkon në 296 metra.

Situata hidrike në kaskadën e Drinit ka përmirësim të dukshëm duke rritur shpresën për një përmirësim të situatës energjitike në Shqipëri. Ajo menaxhohet në bazë të një rregulloreje të hartuar në vitin 1988 e cila parashikon edhe nivelet në të cilat duhet të mbahen liqenet e kaskadës gjatë dy kohëve.

Për Fierzën, për shembull, niveli i liqenit në periudhën 1 prill – 1 tetor në rregullore është në kuotën 295 absolute, 296 relative. Për periudhën 1 tetor – 1 mars, niveli është në kuotën 289 metra absolute dhe 290 metra relative.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë