Ngjarje

Reshjet përmbytin Vlorën, disa lagje nën pushtetin e ujit

Lagje të tëra të qytetit të Vlorës u zgjuan mëngjesin e së dielës nën pushtetin e ujit. Shiu i dendur që vazhdoi thuajse gjatë gjithë paradites e përkeqësoi situatën.

Situata më e rëndë u raportua në bulevardin Vlorë-Skelë, një investim i ri në kuadër të projektit të Rilindjes Urbane në këtë qytet, por që ende nuk ka përfunduar. Në këtë zonë, nga imazhet e shpërndara në rrjetet sociale uji tejkalon 50 centimetrat.

Qarkullimi ishte i vështirë jo vetëm për këmbësorë, por edhe për automjetet. Uji pushtoi banesa dhe biznese në katet e para të pallateve.

Zonat e tjera të prekura ishin lagjja 28 Nëntori, ajo Pavarësia dhe lagjja 1 Maji. Nga Bashkia e qytetit thanë se punonjësit e saj kishin dalë në terren për të zhbllokuar pusetat, ndërkohë që hidrovori i qytetit ishte në punë me kapacitet të plotë.

Kjo nuk është hera e parë që reshjet e shiut përmbytin qytetin e Vlorës, disa zona të të cilit janë thuajse në të njëjtin nivel me detin. Por, nëpër forume të ndryshme online dhe në rrjetet sociale, disa qytetarë të Vlorës fajësojnë cilësinë e investimeve të reja në kuadër të Rilindjes Urbane si shkaku i vërtetë i përmbytjeve. Ata thonë se investimet kanë ngushtuar, ose bllokuar krejtësisht kanalizimet që tërheqin ujin në rastin e reshjeve të vrullshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë