Ka ndodhur

Reshjet e shiut përmbytin disa rrugë në Vlorë. Rënie gurësh në disa akse

Reshjet e shumta të shiut që kanë përfshirë vendin përgjatë orëve të natës, kanë shkaktuar probleme në disa akse rrugore në qytetin e Vlorës.

Situata duket më problematike në zonën e “Albano & Romina”, ku ka prezencë të madhe të ujit në rrugë. Në orët e para të ditës së sotme, një rrugë, ajo e lagjes ‘Rilindja’, vijon të jetë e mbushur me ujë, por dhe aty po punohet.

Ndërkohë që përgjatë rrugës së Lumit të Vlorës ka pasur rënie gurësh në afërsi të fshatit Brataj. Në disa akse nuk ka qarkullim të automjeteve, ndërkohë që po punohet për kthimin e kësaj situate në normalitet.

Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka evidentuar zonat ku janë shkaktuar dëme si pasojë e reshjeve të shiut që kanë përfshirë vendin përgjatë orëve të natës.

Sipas ARRSH, ka pasur rënie gurësh në zonën e Poçemit, Gjirokastrës, Sarandës dhe aksi Elbasan-Librazhd, por pa probleme në qarkullimin e automjeteve.

ARRSH iu bën thirrje drejtuesve të automjeteve të bëjnë kujdes gjatë qarkullimit dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore duke reduktuar shpejtësinë për shkak të lagështirës në rrugë.

Sipas Shërbimit Metereologjik Ushtarak, paraditja e të hënës mbetet me vranësira e reshje më të pakta dhe të përkohshme.

Në pjesën e dytë të ditës, reshjet do të lokalizohen në zonat lindore dhe skajin jugor të vendit. Temperaturat e ajrit do të ulen lehtë në të dy vlerat ditore, duke i luhatur ato nga 4 në 22°C.

Era do të fryjë kryesisht mesatare me drejtim veriperëndimor ndërsa në brigjet detare do të aktivizohet dallgëzim nga 3 në 4 ballë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë