Ka ndodhur

Reshjet e shiut bllokojnë disa rrugë në Shkodër, mijëra ha tokë të përmbytura

Gazeta Si - Situata në qarkun Shkodër dhe Lezhë është përkeqësuar gjatë orëve të fundit pas reshjeve të dendura të shiut mesnatën e të enjtes, ku raportohet për 2.540 ha sipërfaqe tokë të përmbytura.

Në një njoftim për mediat, Ministria e Mbrojtjes thotë se Agjencia e Mbrojtjes Civile ka vënë në dispozicion një mjet të kalueshmërisë së lartë dhe efektivë të FA-ve, të cilët janë të angazhuar në ndihmë të banorëve në njësinë Ana e Malit, fshati Obot.

Si pasojë e reshjeve të shumta orët e fundit, aksi kryesor i kësaj rruge është bllokuar, duke e bërë të pakalueshme nga mjetet e vogla.

Ndërkohë vijon tërheqja e ujit në disa sipërfaqe toke në Bërdicë, Guri i Zi e Velipojë. Punonjës të ARRSH janë duke punuar për pastrimin e dherave në akset Theth-Breglumi, Darragjat-Shirq, njësia administrative Dajç si dhe në rrugën e Lumit të Vlorës në vendin e quajtur ”Qafa e Pëllumbit”.

Tërheqje të ujit ka edhe nga sipërfaqet në qarkun e Lezhës, në njësinë Balldren, ish-këneta e Torovicës, në zonën e Laçit, ish kënetën e Gjonëmit.

Sipas raportimeve hidrovorët punojnë normalisht, nën kuotat kritike. Kuotat e lumenjve Drin, Gjadër dhe Mat janë normale.

Në fshatin Kishavec, bashkia Dibër janë evakuuar disa bagëti, për shkak të depërtimi të ujit nga përroi i fshatit, ndërsa po punohet për riparimin e dëmtimeve në urën e Çikut.

Në fshatrat Toplane-Serme, njësia administrative Temal dhe në zonën e Vermoshit, punonjësit e OSHEE ndodhen në terren për rikthimin e furnizimit me energji elektrike në këto zona. Në të gjtha qarqet e tjera të vendit situata paraqitet normale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë