Ngjarje

Reshjet e dendura të shiut, çahet rruga në Borsh, përmbytje në Lezhë, Vlorë, Shkodër e Fushë-Krujë

Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë probleme në disa qytete të vendit tonë.

Reshjet e dendura të ditës së djeshme kanë dëmtuar një pjesë të rrugës Sarandë-Borsh, duke krijuar edhe çarje të rrugës.

Është çarë rruga në hyrje të Borshit, duke u bërë të pakalueshme për mjetet e tonazhit të rëndë.


Çahet në dysh rruga në Borsh

Nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Sarandës, bëjnë me dije se për këtë është njoftuar edhe ARRSH dhe firma e mirëmbajtjes së kësaj rruge.

Reshjet kanë sjellë probleme edhe në qytetin e Lezhës. Intensiteti i lartë i reshjeve gjatë natës ka sjellë probleme në lagjen “Besëlidhja”.

Vërshimi i ujit thuajse ka përmbytur totalisht këtë zonë duke bllokuar hyrjet e pallateve e për pasojë duke sjellë probleme në lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve.

Probleme ka pasur edhe në Kallmet të Lezhës, ku kanali i ujërave të larta ka dalë nga shtrati duke përmbytur disa hektarë tokë bujqësore.

Në qytetin e Vlorës, reshjet e rëna gjatë 24 orëve të fundit kanë bërë që niveli i lumit Vjosë të rritet mbi 6.3 metra mbi nivelin e detit.

Si pasojë ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur në këtë mënyrë një pjesë të pazarit pranë urës së Mifolit në Vlorë.

Nëse reshjet vijojnë me intensitet në zonat e Përmetit dhe Gjirokastër atëherë do të kemi një rritje edhe më shumë të nivelit të Vjosës.

Po ashtu, shirat e dendur kanë bërë që lumi Ishëm të dalë përsëri nga shtrati. Situatë mjaft problematike paraqitet në fshatin Murqinë të njësisë administrative Bubq ku niveli i ujit në ara ka kaluar 50 cm.

Janë rreth 20 banesa të rrethuara nga uji në këtë fshat dhe në disa prej tyre uji ka hyrë brenda.

Gjatë natës ka pasur rritje të nivelit të ujit në shkarkimet për shkak të reshjeve në lumin Drin e Bunë.

Hidrometri në lumin Buna tregon rritjen e nivelit në 5.80 cm. Rruga e Obotit është e pakalueshme për shkak të lartësisë së ujit 60 cm.

Bashkia Shkodër kërkon pajisjen e mjeteve të ushtrisë për lundrimin dhe krijimin e aksesit për banorët e Obotit.

ARRSH: Ja akset ku ka patur probleme, drejtuesit e mjeteve të tregohen të kujdesshëm

Ndërkohë, ARRSH ka dhënë njoftim mbi gjendjen e akseve kombëtare nga veriu në jug të vendit. 

Në njoftimin zyrtar thuhet se në veri të vendit ka pasur reshje bore gjatë natës, teksa rrugët Dedaj-Razëm dhe Bajram Curri-Valbonë janë të hapura dhe qarkullimi vijon pa problem.

E njëjta situatë edhe me segmentet Fushë-Arrëz-Kukës dhe Kalimash-Fushë Dukagjin ku ka pasur rënie gurësh në rrugë prej shiut, por qarkullimi vijon normalisht.

Sa i përket rajonit jugor, rënie gurësh ka pasur në akset Berat-Çorovodë dhe Patos-Ballsh por edhe tek këto qarkullimi vijon pa probleme pas ndërhyrjes për pastrimin e rrugëve.

Më problematik mbetet aksi Qukës-Pishkash që ka prurje të aluvioneve vazhdimisht dhe po punohet për pastrimin e rrugës edhe aty.

Ndër të tjera, ARRSH u bën apel drejtuesve të tregohen të kujdesshëm dhe të reduktojnë shpejtësinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë