Ka ndodhur

Reshjet e borës mbulojnë vendin, izolohen zonat e thella në Dibër dhe Korçë. Zbardhet edhe Llogaraja

Përveç motit të keq në jug të vendit, me reshje dhe përmbytje, pas mesnatës dhe mëngjesin e të martës, zonat verilindore dhe juglindore janë përfshirë nga reshje të dendura të borës.

Situatë problematike paraqitet në qarkun e Dibrës. Bora me intensitet të lartë, ka arritur trashësinë 15 cm në qytetin e Peshkopisë, ndërsa në zonat e thella në lartësi mbi 800 metra, trashësia shkon deri në 35-40 cm.

Situata rrugore është më problematike në rrugët e brendshme të qytetit të Peshkopisë, ku rrugët nuk janë pastruar dhe lëvizin me vështirësi kryesisht me fuoristrada.

Sipas të dhënave të deritanishme, rruga Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës, kalohet me vështirësi me zinxhirë. Peshkopi-Draj, Reç-Kukës kalimi është i vështirë deri në Zall Reç.

Qarku i Kukësit vijonë të jetë nën prezencën e borës dhe akullit. Trashësia e borës në Tunelin e Kalimashit ka arritur deri në 10 cm.

Problematikë në zonat e thella

Zonat e thella, si Lura, Selishta, Kalaja e Dodës fshatrat e Sllovës, Reçit, Luznisë, janë pa komunikim me qytetin. Në rrethin e Bulqizës reshjet kanë qenë me intensitet më të ulët dhe trashësia shkon në 5 cm.

Nuk ka probleme në rrugët e qytetit. Akset Qafa e Buallit – Krastë dhe Ura e Çerenecit – Librazhd kanë kaluar mjetet borëpastruese dhe kalimi bëhet normal deri tani.

Po ashtu, është bllokuar edhe segmenti nga hyrja e tunelit të Murrizit, i gjithë bay-pasi deri në Xibër Murriz, segment që të lidh me rrugën e Arbrit, e cila u hap ditën e hënë.

Në këtë aks po punojnë mjete borëpastruese, por qarkullimi ende nuk është bërë i mundur.

Policia rrugore kërkon nga drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Tirana drejt Dibrës, të vendosin goma dimërore dhe të përdorin zinxhirët.

Situata në “Rrugën e Kombit”, akset e bllokuara

Qarku i Kukësit vijon të jetë nën prezencën e borës dhe akullit. Trashësia e borës në Tunelin e Kalimashit ka arritur deri në 10 cm.

Arteria kryesore e vendit “Rruga e Kombit”, pavarësisht se një pjesë e madhe e saj është përfshirë nga reshje të dendura bore, kalohet pa rrezik, ndërkohë që automjetet qarkullojnë pa zinxhir.

Situata nuk është e njejtë në akset e tjera nacionale në këtë qark. Rrugët Kukës-Shishtavec, Kukës-Peshkopi, Kukës-Qaf Mali, Krumë-Kam-Tropojë, Qaf Mali-Fierzë janë të kalueshme vetëm me zinxhirë, pasi akulli dhe bora është prezente.

Ndërkohë rrugët rurale që lidhin fshtrat si Tërshen, Arrën, Shkinak, Borje, Zapod, Cahan Lekbibaj etj janë të bllokuara. Gjatë ditës së sotme ka pasur rënie të ndjeshme të temperaturave, duke sjellë zyrtarisht stinën e dimrit në vendin tonë.

Zbardhet edhe Qafë Thana

Reshjet e borës kanë zbardhur edhe aksin Përrenjas-Qafë Thanë gjatë gjithë natës. Mësohet se përgjatë këtij segmenti nuk a pasur incidente apo problematika për qarkullimin e mjeteve.

Izolohen fshatrat e thellë të Korçës

Reshjet e borës kanë vijuar gjatë gjithë natës në qarkun juglindor të Korçës. Mësohet se trashësia në Dardhë ka arritur në 30 cm, prej km të 7 e në vazhdim, ku qarkullimi bëhet me zinxhirë. Ndërsa në Voskopojë, bora shkon deri në 10 cm.

Të gjitha akset nacionale janë të hapura e të qarkullueshme pa probleme, përveç fshatit Panarit, ku ka rënë më tepër se 40 cm borë.

Lëvizja e banorëve është bllokuar dhe ata e kanë të pamundur që të qarkullojnë drejt fshatrave fqinj.

Raportohet për mungesë të energjisë elektrike në 6 fshatra të njësisë Dardhas në Pogradec dhe disa fshatra të Maliqit. Pa energji elektrike edhe Vithkuqi dhe gjysma e Bilishtit.

Dëborë edhe në malësitë e Krujës

Malësia e Krujës është “mbuluar” nga dëbora. Reshjet që kanë rënë gjatë natës kanë bërë që niveli i dëborës në disa zona të shkojë mbi 5 cm.

Dëborë ka pasur edhe në malin e Krujës, ku trashësia e tyre është e papërfillshme. Deri më tani nuk ka asnjë problematikë për sa i përket kalimit të qytetarëve dhe makinave në rrugë.

Reshje bore edhe në Llogara

Nën petkun e dëborës është zgjuar fshati turistik Llogara, për shkak të temperaturave të ulëta. Rrugët janë të kalueshme, pasi dy borëpastruese kanë punuar për hapjen e tyre. Ndërkohë prej dy ditësh defektet  e linjat e tensionit kanë bërë që fshati Llogara të jetë pa energji elektrike.

Pas reshjeve të ditës së hënë, niveli i Vjosës ka vajtur në 6.10 metra mbi nivelin e detit, ndërkohë që maksimalen e arriti mbrëmë pas mesnate në kuotat 6:70 cm, duke përmbytur pjesën e tregut të gjësë së gjallë.

ARRSH, apel për drejtuesit e automjeteve

Nisur nga parashikimi i motit për këtë të hënë dhe ditët në vijim, të cilat do jenë me reshje shiu dhe dëbore, Autoriteti Rrugor Shqiptar u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë.

Ky apel bëhet për të gjithë përdoruesit në akse rrugore ku ka prezencë të dëborës, në të kundër nuk do të lejohet të kalojnë nga patrullat e Policisë Rrugore. “Kujdes, respektoni sinjalistikën rrugore reduktoni shpejtësinë, ndiqni udhëzimet e Policisë Rrugore” apelon ARRSH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë