Ka ndodhur

Moti i keq godet vendin, reshje të dendura shiu përmbytin rrugët në Durrës dhe Lezhë. Probleme me energjinë në disa bashki

Reshje të dendura shiu kanë përmbytur disa qytete, si në Durrës, Lezhë, Elbasan dhe Kukës, pasi vendi gjatë natës u përfshi nga rrebeshe të forta.

Shumë zona kanë probleme me furnizimin e energjisë elektrike, ku në errësirë kanë ngelur edhe disa fshatra në Elbasan si pasojë e shiut.

OSHEE bën me dije se për situatën e furnizimit me energji elektrike, problem mbeten rrufetë, por situata më problematike paraqitet në zonat rurale, kryesisht në rrethinat e Dibrës dhe Shkodrës.

Në kryeqendrën e Veriut, ka pasur probleme të furnizimit me energji elektrike në disa lagje për shkak të dëmtimit të shtyllës 35 kV. OSHEE thekson se hidrovoret dhe linjat që furnizojnë spitalet dhe institucionet e rëndësisë së veçantë janë në punë.

Sa i takon përmbytjeve, problematike janë disa kryqëzime dhe segmente rrugore në Durrës. Konkretisht bëhet fjalë për rrugët te kryqëzimi i stadiumit; rrethrrotullimi te stacioni trenit; rruga “Taulantia”; rruga Pavarësia në plazh.

Prani të lartë uji ka edhe te rruga e Shkozetit, ç'ka e bën edhe më të vështirë kalimin si për makinat edhe për këmbësorët.

Po ashtu për shkak të motit të keq në Gjirin e Durrësit, dy tragetet e linjës janë nisur nga porti detar në drejtim të Barit me 3.5-4 orë vonesë, ndërsa mëngjesin e sotëm tragetet e ardhura nga Bari kanë mbërritur në kohë.

E njëjta situatë paraqitet edhe në Lezhë. Moti me reshje ka sjellë edhe probleme me furnizimin me energji elektrike. Në disa zona të qytetit ka prezencë uji, duke vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve.

Gjithashtu ka shtim te prurjeve në lumenjtë Drin dhe Mat. Moti i  keq ka sjellë probleme dhe në furnizimin me energji elektrike në fshatra, ku sipas raportimeve janë në errësirë prej mbrëmjes së kaluar.

Për sa i përket situatës në Lezhë gjatë 24 orëve në zonat e ulëta dhe bregdetare ka pasur reshje të shiut me intensitet të ulët dhe mesatar të cilat vijojnë edhe tani,  kurse në zonat malore në lartësitë mbi 1000m ka pasur reshje të dëborës.

Me reshje shiu është zgjuar mëngjesin e të hënës edhe qarku i Elbasanit, duke shkaktuar rënien e inerteve në disa akse rrugore.

Të pranishme janë problemet me fidrin nr.7 e nr.8, ku si pasojë ka mungesë furnizimi me energji në disa fshatra përreth, si dhe fidri nr.4 në Bashkinë Cërrik, i cili shkakton mungesa në Nj.Adm Mollas e Pishaj të Bashkisë Gramsh.

Reshjet e shiut që kanë rënë gjatë natës nuk kanë sjellë asnjë problem për qytetin e Vlorës, por dhe për rrethin e saj. Në këto momente shiu në qytetin e Vlorës ka pushuar.

Ndërsa në Gjirokastër bëhet me dije se të gjitha Njësitë Administrative janë të kalueshme pa probleme. Lumi Drino dhe Lumi i Kardhiqit janë në nivelin e shtratit. Përroi i Çullos po mbahet në monitorim dhe deri tani është pa probleme.

Për sa i përket situatës në Kukës i gjithë territori është përfshirë nga një situatë moti e shoqëruar me erë të fortë dhe reshje shiu me intensitet të lartë gjatë natës.

Rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht. Ka patur rënie inertesh në disa segmente rruge, sidomos në  akset rrugore nacionale, por si rezultat i punës së bërë nga kontraktorët që kanë në performancë këto rrugë është bërë e mundur pastrimi i tyre pa penguar qarkullimin. Në Korçë nuk raportohen probleme deri tani nga reshjet e shiut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë