Ngjarje

Shi intensiv e përmbytje për 4 ditë, Peleshi apelon: Shkodra dhe Lezha më në rrezik

Gazeta Si - Për katër ditët e ardhshme, deri më 21 janar, pritet një përkeqësim i fortë i motit, me reshje të dendura shiu, bore përmbytje dhe ngrica kryesisht në zonën e veriut të vendit.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në një konferencë për mediat, ka komunikuar masat që duhen marrë, duke pasur parasysh situatën, e cila pritet të ndryshojë nga dita në ditë.

Peleshi u bëri thirrje kryesisht drejtuesve të Bashkisë Shkodër dhe asaj Lezhë që të njoftojnë qytetarët që të qëndrojnë në gatishmëri dhe të merren masat paraprake për reshjet intensive që pritet të bien.

“Priten reshje shumë intensive dhe me shtrëngata në disa qarqe, që do jenë më problematike në Veri të vendit, - tha Peleshi. - Për ditën e sotme, priten reshje shumë intensive në qarqet Shkodër e Kukës. Intensive do të jenë në Dibër e Lezhë dhe mesatare në qarqet e tjera. Reshjet pritet të shoqërohen dhe me shtrëngata në Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Gjirokastër, Elbasan e Vlorë”.

Po ashtu, Peleshi shtoi se prurjet në kaskadën e Drinit do të pësojnë rritje prej mëngjesit të ditës së martë e deri në 21 janar do kenë prirje për t’u rritur.

“Do të ketë rritje gatishmërie të strukturave të Mbrojtjes Civile që kanë në administrim rezervuare infrastrukturë rrugore, furnizim me energji elektrike”, - vijoi ai.

Në zonën e Alpeve parashikohen reshje tepër të dendura dëbore në formën e stuhive të dëborës. Ndërsa në zonat malore në lartësinë mbi 800-900 metra reshje dëbore me intensitet të ulët.

Vendi ynë u përball me përmbytje edhe në muajin dhjetor, ku qarqet më problematike ishin Shkodra dhe Lezha. 

Sipas Peleshit, situata me reshjet pritet të normalizohet pas 21 janarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë