Mendim

Republika Srpska do të bashkohet me Serbinë në pranverë?

Një nga skenarët më të rrezikshëm në Ballkan mund të bëhet realitet. Bosnjë-Hervegovina, “fuçia e barutit” në rajon, duket të jetë shumë pranë “shpërthimit”, pasi Republika Srpska ka paralajmëruar shkëputjen nga Bosnja në pranverë duke alarmuar jo vetëm rajonin, por edhe faktorët ndërkombëtarë.

Përfaqësuesit e Republikës Srpska u tërhoqën të enjten nga të gjitha institucionet shtetërore të Bosnjës, duke deklaruar se ka ardhur koha të shkëputen.

Udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik paralajmëroi të enjten se Republika Srpska ishte më pranë së kurrë "largimit nga Bosnja dhe Hercegovina".

"Ne do ta bëjmë këtë dhe nuk do të ndalemi nga SHBA, apo nga dikush tjetër, sepse besojmë se Marrëveshja e Dejtonit është thyer, kryesisht nga ndërhyrja faktorit ndërkombëtar", tha Dodik, i cili është anëtari presidencës boshnjake.

Ai shtoi se nëse nuk arrihet një marrëveshje së shpejti, në pranverë nuk do të ketë më shtet boshnjak. "Unë dua që të gjithë në Republikën Sprska ta dinë: ne kemi shembur një mur. Tani ne duhet të vendosim nëse do të pranojmë vullnetin e ambasadave amerikane dhe perëndimore... që në thelb dëmtojnë të drejtat tona, apo të mbrojmë vullnetin tonë", vazhdoi Dodik.

Vendimi për t’u tërhequr nga institucionet shtetërore pasoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës për shtetëzimin e tokës bujqësore në Republikën Srpska. Gjykata vendosi që shteti i Bosnje-Hercegovinës, dhe jo Republika Srpska, ishte pronar i një toke të tillë.

Duke parë ndjeshmërinë e çështjes, trupi gjykues u përbë nga tre gjyqtarë të huaj, si dhe dy boshnjakë, dy kroatë dhe dy gjyqtarë serbë. Serbët boshnjakë kanë kundërshtuar prej kohësh gjykatën dhe veçanërisht gjykatësit e saj të huaj.

Në reagime të kujdesshme, BE dhe SHBA i bënë thirrje Republikës Srpska të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Por Dodik u bëri thirrje përfaqësuesve të Republikës Srpska të tërhiqen nga të gjitha institucionet shtetërore të Bosnjës. Të gjitha partitë e opozitës kanë mbështetur vendimin për të bojkotuar procesin e vendimmarrjes.

"Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është duke e përkeqësuar situatën, dhe… ne duhet të mbrojmë interesat e Republikës Srpska”, tha ai. Të gjithë udhëheqësit politikë të Republikës Srpska do të udhëtojnë drejt Beogradit të shtunën për të takuar Presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Dodik tha që do të kërkonte "mirëkuptimin" e Presidentit serb në takim.

Shkëputja nga Bosnja dhe bashkimi me Serbinë ka qenë ëndrra e vjetër jo vetëm e Republikës Srpska por edhe e Beogradit zyrtar.

Sipas Milorad Dodik, bashkëpunëtor i ngushtë i Vuçiçit dhe Presidenti i serbëve të Bosnjës, republika është e destinuar të bëhet pjesë e shtetit serb në shekullin 21. Sipas tij, bashkimi me Beogradin duhet të jetë detyra e vetme e elitës politike serbe në vitet që do të vijnë. Dodik ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që Vuçiç të përdorë zgjidhjen e mosmarrëveshjes së Kosovës, për rihapjen e statusit të serbëve të Bosnjës, si hapi i parë drejt këtij bashkimi të ardhshëm. Ai e ka bërë këtë kërkesë shpesh në praninë e Vuçiçit, duke shkaktuar jo pak shqetësim në Sarajevë.

Vitin e kaluar ka pasur shumë diskutime rreth shkëmbimit territorial të propozuar midis Serbisë dhe Kosovës. Një propozim i tillë shkaktoi shok tek shumë njerëz, pasi administrata amerikane dhe zyrtarët e BE-së sinjalizuan se një marrëveshje e tillë do të ishte e pranueshme. Por analistët shprehen se për një rajon si Ballkani, ndryshimi i kufijve nuk është kurrë një ide e mirë. Shoqëria civile, akademikët dhe ish-zyrtarët e kanë bërë të qartë se “korrigjimet kufitare” në Ballkan janë receta perfekte për kaosin dhe trazirat.

Edhe pse debati kishte të bënte në pamje të parë vetëm me Kosovën dhe Serbinës, ai ka ndikuar në fakt edhe në Bosnjë-Hercegovinë, duke i dhënë përfaqësuesit të Republikës Srpska “armën perfekte”. Sipas tij, nëse kufijtë e Kosovës mund të ndryshoheshin, atëherë edhe Marrëveshja e Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnjë, do të mund të rishqyrtohej.

Për elitën nacionaliste në Beograd dhe Banja Luka, statusi i serbëve të Bosnjës mbetet “i pazgjidhur”, pavarësisht se Serbia mbështeti Marrëveshjen e Dejtonit. Me fjalë të tjera, Republika Sprska mbetet një territor që duhet fituar. Dhe ambiciet e Serbisë në këtë drejtim nuk janë thjesht retorike. Bashkëpunimi ushtarak i Serbisë me Rusinë, është pranuar dhe dokumentuar zyrtarisht nga të dyja palët. Gjithashtu i dokumentuar është edhe militarizimi i shpejtë i policisë së Republikës Sprska, lidhja e saj me ushtarakët e trajnuar nga Rusia, si dhe prezenca e bazave te dyshimta ruse në Banja Luka, Bosnjë dhe në Nish të Serbisë.

Milorad Dodik dhe presidenti serb, Gazeta Si, 2020

Armatosja e Republikës Srpska

Republika Srpska nuk lejohet të ketë ushtrinë e saj, sipas kushteve të Marrëveshjes së Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnjë në vitin 1995. Por serbët mbajnë forcën e tyre policore, e cila po ndërton një marrëdhënie gjithnjë e më të ngushtë me Moskën.

Në vitin 2017, gjatë një vizite zyrtare në Banja Luka, një delegacion rus këmbënguli për krijimin e një partneriteti strategjik midis Republikës Serbe dhe policisë ruse për çështjet e inteligjencës, luftës kundër terrorizmit dhe luftës kundër krimit kibernetik. Republika Srpska ra gjithashtu dakord që të strehonte disa oficerë rusë që do të stërvitnin policinë e saj dhe të dërgonte anëtarë të njësive speciale serbe në Moskë për t’u trajnuar. Që atëherë, oficerët e inteligjencës ruse (ish-anëtarë të Shërbimit Federal të Sigurisë) japin shpesh leksione në Fakultetin e Studimeve të Sigurisë në Universitetin e Banja Lukës, i cili shërben si departament për planifikimin e politikave të policisë rajonale.

Republika Srpska ka forcuar kohët e fundit forcën e saj policore edhe nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit. Për shembull, Ministria e Punëve të Brendshme të RS-së bleu këtë vit 2500 armë nga Rusia. Autoritetet e Republikës Srpska po hapin gjithashtu një qendër të re trajnimi jashtë Banja Lukës, prej 4 milionë dollarësh. Rusia është angazhuar tashmë për trajnimin e forcave serbe kundër terrorizmit. Qendra do të shërbejë si seli për anti-terrorizmin, njësi logjistike dhe si departament për të luftuar krimin e organizuar.

Po ashtu në Republikën Srpska, po zhvillohet një diskutim i vazhdueshëm për krijimin e një qendre “humanitare” ruse të ngjashme me atë që është vendosur tashmë në qytetin serb të Nishit. Zyrtarisht, qëllimi i tij është të ndihmojë qeverinë lokale në rast fatkeqësie natyrore, siç janë përmbytjet apo zjarret. Por qendra në Nish dyshohet se shërben si një qendër spiunazhi dhe si një bazë ushtarake jozyrtare. Rusia dhe Republika Srpska kanë kultivuar gjithashtu lidhje të ngushta mes organizatave të veteranëve të luftës. Këto organizata janë përfshirë në rekrutimin e vendasve për të udhëtuar në Ukrainën lindore dhe Siri, si luftëtarë të huaj. Zyra e veteranëve të luftës në Banja Luka është gjithashtu e lidhur me një organizatë paraushtarake serbe, udhëheqësit e të cilëve janë trajnuar në Rusi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë