Republika Çeke është bërë vendi i parë i NATO-s që dërgon tanke në Ukrainë, duke siguruar T-72 dhe automjete të blinduara pas lutjes së Presidentit Zelenski për ndihmë.
Disa automjete luftarake BVP-1, dhe tanke T-72 u ngarkuan në një tren me destinacion Sllovakinë, ku pritet të nisen për në Ukrainë.
Udhëheqësit e NATO-s deri më tani i kanë dhënë Ukrainës raketa antitank si dhe armë të vogla dhe pajisje mbrojtëse, por nuk i kanë ofruar asnjë automjet të rëndë apo avion luftarak. Vendimi i Pragës për të furnizuar Kievin me tanke ndoshta do të jetë edhe një lloj shembulli që duhet të marrin aleatët e NATO-s.
Jana Cernochova, Ministrja çeke e Mbrojtjes i tha parlamentit dje: “Unë vetëm do t’ju siguroj se Republika Çeke po e ndihmon Ukrainën aq sa mundet dhe do të vazhdojë të ndihmojë duke e furnizuar me pajisje ushtarake, të lehta dhe të rënda”.







Ajo nuk pranoi të japë detaje të mëtejshme mbi transferimin, por kjo vjen pasi Vlodimir Zelenski kërkoi nga NATO të dorëzojë armaturë, avionë luftarakë dhe pajisje të tjera ushtarake gjatë një samiti në Bruksel.
Sipas një zyrtari të lartë polak, Ukraina harxhon brenda një dite të njëjtën sasi armësh që merr në një javë.
Artileria çeke është financuar nga Praga si dhe nga donatorë privatë të cilët kanë kontribuar në një fushatë grumbullimi fondesh me burime të shumta për furnizimin me armë në Kiev.
Praga dhe Sllovakia fqinje, e cila nuk ka tanke për të dhënë, po shqyrtojnë gjithashtu ndihmën për riparimin dhe rikonstruksionin e pajisjeve ushtarake ukrainase të dëmtuara. Gjermania do të dërgojë disa dhjetëra automjete luftarake në Kiev dhe Britania e Madhe ka miratuar dërgimin e 20 ambulancave.
Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të ofrojnë një ndihmë shtesë prej 100 milionë dollarësh për Ukrainën. Prodhuesi amerikan i çipave Intel Corp (INTC.O) tha se kishte pezulluar operacionet e biznesit në Rusi, duke iu bashkuar një liste në rritje të kompanive që largohen nga vendi.
NATO do të diskutojë dërgimin e më shumë armëve në Ukrainë në një takim sot dhe nesër, sipas Sekretarit të Përgjithshëm Jens Stoltenberg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



