Ngjarje

Reporterët pa Kufij “fshikullon” Gjinushin: Sulme të pështira seksiste!

Komentet seksiste të kreut të ri të Akademisë së Shkencave, Skëndër Gjinushit ndaj gazetares Enkelejda Mema por edhe dhuna ndaj gazetarëve në protesta, duket se kanë mbërritur deri në veshët e organizatës më prestigjioze në botë që mbron lirinë e shtypit, "Reporterët pa Kufij".(Reporters Sans Frontier).

Nëpërmjet një reagimi zyrtar, Reporterët pa Kufij (RSF) u kanë bërë thirrje autoriteteve shqiptare të mbrojnë gazetarët, të cilët kanë qenë vazhdimisht në mesin e viktimave të dhunës së gjatë protestave të opozitës. Po ashtu RFS përmend edhe sulmet seksuale ndaj gazetareve femra, duke veçuar deklaratat e të Gjinushit.

“Mes kaosit në rritje, niveli i mosbesimit ndaj mediave po arrin nivele të pashembullta dhe disa gazetare kanë raportuar se janë objektiva të sulme të pështira. Gazetarja e TV Klan, Ola Xama tha se ishte sulmuar verbalisht dhe fizikisht nga një anëtar i Gardës Kombëtare Republikane në parlamentin shqiptar në prill, ndërsa Enkelejda Mema tha se ajo ishte përballur me fyerje serioze seksiste nga Drejtori i Akademisë së shkencave Skënder Gjinushi më 25 maj.”, shkruan organizata e lirisë së shtypit.

RFS ngre alarmin edhe për operatorët dhe gazetarët e plagosur në protestat e opozitës, duke theksuar se së paku katër gazetarë ishin viktima të akteve të agresionit nga demonstruesit gjatë protestave të opozitës.

“Besfort Kryeziu, një kameraman me Top Channel u shtrua në spital pasi një bombë molotov e goditi në kokë, ndërsa Eno Xhaja dhe Mateo Brahja u sulmuan nga protestuesit e zemëruar që i penguan të filmonin dhe i thyen pajisjet. Po ashtu edhe Arsen Rusta raportoi se ishte objekt i kërcënimeve serioze”, shkruajnë Reporterët pa Kufij. "

Ne dënojmë klimën e tanishme të frikësimit dhe dhunës ndaj gazetarëve dhe u bëjmë thirrje autoriteteve që të marrin masa të menjëhershme në mënyrë që sulmet të ndalen", tha Pauline Adès-Mével, kreu i tryezës së Unionit Evropian të RSF dhe Ballkanit.

Sipas saj, kjo dhunë dhe retorika anti-media e politikanëve të caktuar duhet të dënohet plotësisht për hir të reformave demokratike të Shqipërisë dhe progresit të saj në përpjekje për t'u bashkuar me Bashkimin Europian.

“Duke pasur parasysh situatën aktuale politike dhe mungesën e zgjedhjeve lokale më 30 qershor, ne jemi të shqetësuar se incidentet e mëtejshme mund të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe procesin e pranimit në BE ", shkruan ajo.

RSF thekson se është shqetësuar për nivelin e dhunës që nga fillimi i protestave. “Dy gazetarë, Isa Myzyraj nga Ora News dhe Marsela Karapanço nga A2 Neës CNN u shtruan në spital më 16 shkurt për shkak të gazit lotsjellës”, shkruan RSF duke sjellë në vëmendje se Shqipëria renditet e 82-ta në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit duke rënë me 7 vende në krahasim me vitin 2018.

Disa ditë pasi kreu i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi pati një debat me gazetarët, ku u shpreh ndaj njërit prej tyre se të shkonte të mjekohej se ishte i eksituar, ka ardhur edhe reagimi qytetar.

Në rrjet ka nisur një peticion kundër Skënder Gjinushit për gjuhën e tij seksiste. “Gjinushi kërko falje publike për gjuhën denigruese e seksiste ndaj gazetareve”, është tema e peticionit për Skënder Gjinushin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë