Ngjarje

Rënie drastike e rasteve me Covid-19, Kosova liron masat kufizuese

Ndryshe nga gjithë pjesa tjetër e Europës, Kosova po shënon një ulje të ndjeshme të rasteve me koronavirus, duke i dhënë shtysë qeverisë të lirojë disa nga masat kufizuese të vendosura dy muaj më parë, kur Prishtina po përballej me kulmin e pandemisë.

Restoranteve dhe bareve i është zgjatur orari i punës me një orë më shumë, duke u lejuar të mbyllen në 23:30 dhe jo në orën 22:30.

Qeveria po ashtu vendosi që t’i lejojë hapjen e teatrove, bibliotekave, filarmonisë, galerive, ansambleve, baletit, kinemave, qendrave rinore, muzeve dhe qendrave të kulturës.

Këto objekte dhe institucione, që deri më tani kanë qenë të mbyllura, do të mund të shfrytëzojnë vetëm 40 për qind të hapësirës së tyre.

Vendimi vjen pasi në 24 orët  e fundit u shënuan vetëm 46 raste dhe një viktimë. Bilanci ka qënë i ngjashme përgjatë dy javëve të fundit.

Me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës, institucionet shëndetësore po ashtu obligohen që të rihapin të gjitha shërbimet shëndetësore në përputhje me masat për mbrojtje nga Covid-19.

Po sipas vendimit, të gjithë qytetarët e huaj, të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, e që vijnë nga vendet me risk të lartë, duhet të bëjnë një tampon. Vendet me risk ta lartë përcaktohen nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

Në total, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara pozitive në Kosovë është 15,379 me 617 pacientë që kanë humbur jetën dhe 13,088 që janë shëruar. Raste aktive aktualisht janë 1,674.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë