Politike

Rënia e besimit tek biznesi, reagon Presidenti i Dhomës Amerikane dhe PD

Enio Jaço ka reaguar pas publikimit të Indeksit të Biznesit të Dhomës Amerikane duke nënvizuar se Shqipëria ka ende sfida të mëdha për të kapërcyer me klimën e biznesit.

Në një reagim në rrjetet sociale Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Jaço thekson se rënia në nivelin më të ulët që në fillimin e Indexit 9 vjet më parë dëshmon peshën e fenomeneve gërryese që vijojnë të mbajnë peng vendin drejt një përparimi më të shpejtë.

“Rezultatet e Indeksit të Biznesit për vitin 2021 janë matës real që tregojnë se Shqipëria, ka ende sfida të mëdha për të kapërcyer me klimën e biznesit.

Rritja me 71% e anëtarëve që morën pjesë në Index, më e larta që në krijimin e saj, tregon për rëndësinë që bizneset i japin terrenit ku ata operojnë dhe rregullave të lojës. Por rënia me 0.5 pikë nga një vit më parë dhe rënia në nivelin më të ulët që në fillimin e Indexit 9 vjet më parë dëshmon peshën e fenomeneve gërryese që vijojnë të mbajnë peng vendin drejt një përparimi më të shpejtë.

Dinamika e zhvillimeve por edhe perspektivës Europiane që Shqipëria synon, nuk lë më kohë për reflektim, por nxit rëndësinë e një aksioni të përbashkët”, nënvizon ai.

Në kthimin e besimit tek bizneset, sipas tij, duhet së pari, dialog dhe bashkëpunim konstruktiv me përgjegjësi të lartë.

“Dhoma Amerikane ka pritshmërinë e dialogut dhe gjetjes së mekanizmave te bashkëpunimit me Qeverinë e re dhe Parlamentin e ri për të krijuar një faqe të re në mënyrën e të bërit biznes në Shqipëri!” thuhet në reagimin e Presidentit të AmCham.

Për rënien e Index-it ka reaguar edhe PD përmes Jorida Tabakut.  

“Raporti i fundit i AmCham është një sinjalizim i një krize të thellë besimi që nuk mund të anashkalohet me debate të pasinqerta, as me propagandën e ditës.

Kjo ka sjellë dhe rënien e besimit të biznesit në ekonomi, pasi indeksi ka shkuar në 37.66 duke prekur nivelin më të ulët që nga 2012.

Arsyet kryesore të humbjes së shpresës dhe besimit në ekonomi janë: taksat e larta që prodhojnë korrupsion dhe monopol+oligarki.

-  60% e bizneseve të intervistuara janë kundër sistemit të taksave dhe tatimeve të ngritura nga everia. E konsiderojnë të pandershëm dhe jo të drejtë.

-  Taksat e larta dhe të padrejta prodhojnë një sistem të korruptuar ku nuk është më i miri që përfiton por më i pandershmi.

33.4% e bizneseve shprehen se niveli i korrupsionit është rritur ndjeshëm dhe që është në çdo qelizë të shoqërisë dhe qeverisë.

-  Ekonomi e centralizuar dhe komanduar nga oligopolet dhe monopolet. Indeksi i një ekonomie jo të lirë por të qeverisur nga monopolet dhe oligopolet është përkeqësuar pasi ky indikator është i tretë në renditje dhe më i përkeqësuari”, shkruan Tabaku


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë