Nga Gazeta Si - FIFA, organi botëror i futbollit ka përditësuar paraditen e së enjtes renditjen e ekipeve kombëtare. Në renditje tregohet se Shqipëria ngjitet me dy pozicione dhe mban vendin e 65-të, ndërsa edhe Kosova ka ngjitur tre shkallë duke qenë në vendin 101. Ndërkohë Argjentina vijon të jetë në krye, me kampionët e botës në fuqi që ndiqen nga Franca ndërsa Italia është ngjitur me një pozicion.
Dy ndeshjet e fundit të Kombëtares (humbja me Çekinë dhe fitorja me Gjeorgjinë) kanë bërë që kuqezinjtë të fitojnë dy pozicione në renditjen botërore.
Kombëtarja shqiptare luan kundër Çekisë dhe Ukrainës më 16 dhe 19 nëntor në ‘Air Albania’ dy ndeshjet e fundit në Grupin B1 dhe është në garë për kreun e tabelës.
Në krye të ekipeve më të mira kombëtare vijon të jetë Argjentina me 1883 pikë, ndjekur nga Franca me një diferencë të madhe. Ndërkohë që më pas vijnë Spanja, Anglia, Brazili dhe Belgjika. Një pozicion ka fituar Portugalia dhe Italia, teksa Holanda dhe Kolumbia kanë rënë me një vend. Edhe pse ka fituar dy pozicione nga paraqitjet e fundit, Gjermania është jashtë dhjetëshes më të mirë dhe për momentin mban vendin e 11-të në botë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.