Bota

Rekord të infektuarish dhe viktimash në Rusi. Alarmi i OBSH për variantin Delta

Rusia ka zbuluar 21,042 raste të Covid-19 në 24 orët e fundit, duke i çuar rastet totale në 5,514,599, që nga nisja e pandemisë marsin e shkuar.

Lajmi bëhet i ditur nga Qendra e Krizave në Luftën kundër Koronavirusit. Sipas agjencisë së lajmeve “Tass”, numri i viktimave është 669 persona, një rekord i ri që nga fillimi i pandemisë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, u bëri thirrje rusëve të dëgjojnë “specialistët” dhe njerëzit të vaksinohen, ndërsa qeveria e tij po përpiqet të kapërcejë skepticizmin e popullsisë.

Në disa rajone dhe për disa katetori, është futur vaksinimi i detyrueshëm. Ndërkohë janë 96 vende që, që nga 29 qershori, kanë raportuar raste të variantit “Delta” të Sars-CoV-2.

Një e dhënë që “ndoshta nënvlerësohet” për shkak të “aftësive të kufizuara të sekuencimit” të nevojshëm për të identifikuar mutantët e koronavirusit pandemik.

Kështu ka raportuar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në raportin e saj javor mbi progresin e epidemisë globale të Covid-19, duke nënvizuar se “një numër i këtyre vendeve atribuojnë kulmet e infeksioneve dhe pranimet në spital me variantin ‘Delta’”.

Krahasuar me variantin “Alpha” (të ashtuquajturin variant “anglez”), “Delta” do të kishte, sipas një raporti të OBSH, “një numër riprodhimi 55% më të lartë”.

Për këtë arsye, OBSH konfirmon se “varianti ‘Delta’ shpejt do të kapërcejë variante të tjera dhe do të bëhet ai mbizotëruesi në muajt e ardhshëm”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë