Ngjarje

Rekomandimet e OKB në Tiranë për rikthimin në shkollë: A duhet që fëmijët të mbajnë maskë?

Frika e shumë prindërve mbi fillimin e vitit të ri shkollor më 14 shtator është rritur edhe për shkak të konfuzionit lidhur me protokollin e sjelljes dhe qëndrimit të fëmijëve në shkollë në këtë kohë pandemie. Para pak ditësh Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësië shpallën rregullat e reja të mësimit në klasa, por organizatat që merren me fëmijët dhe jo vetëm, kanë dhënë rekomandimet e tyre lidhur me këtë rikthim, shpesh duke dalë ndesh e kundërshtuar rregullat e autoriteteve shqiptare. Para dy ditësh CRCA, qendra për kujdesin e fëmijëve, tha se protokolli i Ministrisë nuk është i detajuar, nuk ka një studim të mirëfilltë për hapjen e shkollave, ndërsa i kërkoi qeverisë shqiptare të mos i hapë shkollat. Së fundmi, në një postim të sajin në Facebook, Zyra e Kombeve të Bashkuara në Tiranë dha disa sqarime lidhur mënyrën se si duhet të rikthehet mësimi në shkolla.

Kjo zyrë shprehet se OBSh-ja dhe UNICEF-i rekomandojnë që përdorimi i maskës nga fëmijët varet nga mosha e tyre dhe situata në të cilën ndodhen:
- Fëmijët nën e deri në moshën 5 vjeç nuk duhet të përdorin maska prej pëlhure.
- Për moshat 6-11 vjeç, vendimi merret duke gjykuar sipas rastit mbi shkallën e rrezikut në kushtet e transmetimit me përhapje të gjerë, duke vlerësuar posaçërisht, si aftësinë që fëmijët ta përdorin maskën siç duhet, ashtu edhe mbikëqyrjen e të rriturve.
- Për fëmijët mbi 12 vjeç, mbeten në fuqi rregullat që zbatojnë të rriturit, sidomos në zonat ku virusi është shumë i përhapur dhe distancimi fizik nuk mund të arrihet.
Ndërsa në protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet mes të tjerash se "brenda klasës, nxënësit qëndrojnë të ulur nga një nxënës në bankë, dhe bankat në të paktën 1.5 metra larg njëra-tjetrës. Në klasat ku kjo nuk është e mundur, nxënësit do të ndahen në klasa të tjera. Nxënësve të ciklit të ulët 9-vjeçar u rekomandohet të mbajnë maskë gjatë orëve të mësimit. Nxënësit e cikilt të ulët 9-vjeçar duhet të mbajë maskë gjatë aktiviteteve jashtë orëve të mësimit në ambientet të shkollës. Nxënësit e ciklit të lartë 9-vjeçar dhe të mesëm duhet të mbajnë maskë në ambientet e brendshme dhe në të gjitha aktivitetet mësimore në ambientet e shkollës.
Zyra e OKB-së në Tiranë rekomandon gjithashtu që “fëmijët që kanë sëmundje të tjera bashkëshoqëruese duhet ta përdorin maskën vetëm pasi të këshillohen me mjekun e tyre”.
OBSh-ja dhe UNICEF-i e kanë përpunuar këtë udhëzim mbështetur mbi parimin që të "Mos Dëmtojmë Fëmijët", duke njohur fazat e tyre të zhvillimit, mësimit dhe shoqërizimit:
- Sipas të dhënave, fëmijët mund të infektohen me COVID-19 por shumica e këtyre rasteve kalojnë një sëmundje të lehtë.
- Të dhënat e mbledhura deri tash tregojnë se transmetimi i virusit që shkakton CODID-19 përmes fëmijëve ndryshon sipas moshës.
- Nga të gjitha të dhënat e rasteve të raportuara me COVID-19 nga Shtetet Anëtare të OBSh-së dhe disa studimeve, fëmijët përfaqësojnë 1-7% të rasteve në shkallë botërore.

Ministria e Shëndetësisë u kërkon të gjithë mësuesve që të sigurohen që në klasë të gjithë të jenë të pajisur me maskë dhe t’i mbajnë rregullisht ato. Nxënësit ndalohen të dalin nga klasa gjatë orëve të mësimit përveç rasteve kur i duhet të përdorin tualetet. Gjithashtu sipas rregullave të përcaktuara nga ekspertët e komitetit nëse është e mundur duhet të praktikohet mësimi në ambient të hapur (oborr shkolle), duke respektuar largësinë dhe rregullat e mësipërme.

Koordinatori i Përhershëm i OKB në Shqipëri, Brian J. Williams. Gazeta Si, gusht 2020

Por në udhëzimin e zyrës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri thuhet se maskat duhet të jenë pjesë e një paketë gjithëpërfshirëse maskash për të frenuat transmetimin e sëmundjes. Në udhëzim thuhet se larja e shpeshtë e duarve, mbulimi i kollitjes apo teshtitjes me këndin e bërrylit të përthyer apo shami letre një përdorimshe, ruajtja e distancës prej të paktën 1 metër, mos prekja e fytyrës, si dhe vendosja e maskës kur është e përshtatshme, janë vendimtare për parandalimin e transmetimit.
Ndër të tjera në këtë udhëzim theksohet se asnjë fëmije nuk duhet t’i mohohet e drejta e arsimit për shkak të vendosjes së maskës.
Sipas protokollit nxënësve duhet t’u flitet çdo ditë për rregullat e higjienës, larjen e duarve, mënyrën e kollitjes, teshtitjes dhe mbajtjen e maskës. Çdo nxënës në shkollë duhet të lajë duart pas çdo veprimi që mund të përbëjë rrezik për përhapjen e virusit: prekja e hundës, syve, gojës, etj. Dhe një ndër pikat e rëndësishme që protokolli përcakton është se duhet të sigurohen nga struktura arsimore: uji i rrjedhshmëm, sapuni i lëngshëm, letra për fshirjen e duarve dhe xheli me përmbajtje alkooli 60%, në të gjithë ambientet e shkollës.

Përtej rregullave shëndetësore që duhen ndjekur, qendra për kujdesin e fëmijëve CRCA, e ka cilësuar të gabuar vendimin e Ministrisë së Arsimit Rinisë dhe Sportit, sepse Ministria nuk ka pasur asnjë lloj konsultimi publik në lidhje me hapjen e vitit të ri shkollor as me bordet e prindërve dhe as me organizatat e shoqërisë civile që punojnë në fushën e arsimit apo të të drejtave të fëmijës, ndërkohë që asnjë mësues nuk është trajnuar për të menaxhuar klasat në situatën e Covid-19. "Hapja e shkollave duhet bërë vetëm nëpërmjet një plani kombëtar të mirë-studiuar, të konsultuar me prindërit dhe publikun, që merr në konsideratë shëndetin e fëmijëve, shkallën e përhapjes së virusit në Shqipëri, mundësitë e sistemit pediatrik që të përballet me rritjen e mundësisë që Covid-19 do të prekë edhe fëmijët më të varfër dhe më të ekspozuar ndaj sëmundjeve respiratore, diabetit, mungesës së ushqimit të shëndetshëm etj.," thuhej më tej në deklaratën e CRCA.
Lidhur me këtë shqetësim, Ministria e Arsimit tha se “të dhënat paraprake nga një sondazh që ka kryer kjo ministri, tregojnë se rreth 80% e të pyeturve që ishin prindër, mësues dhe fëmijë, kishin kërkuar të hapeshin shkollat”.
Ndërkohë gjatë kësaj të martë Ministrja Besa Shahini në një deklaratë në rrjetin social “Facebook” bëri me dije se së bashku me zyrtarë të autoriteteve arsimore, po konsultoheshin për sigurinë e nxënësve në shkollë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë