Nga Gazeta Si - Një ditë para se të mbyllen regjistrimet online për klasat e para dhe të dhjeta, Organizata Qëndresa Qytetare i kërkon Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve që të nisë hetimet për drejtorët e shkollave të cilët, sipas Qëndresës Qytetare, po detyrojnë prindërit të paguajnë për të regjistruar fëmijët të cilët nuk janë rezident në shkollat përkatëse.
“Në një kohë që rajone me nga 70 mijë banorët si Astiri ose Kodra e Diellit nuk kanë një institucion arsimor, regjistrimi fëmijëve në shkolla është kthyer në një mision të vështirë për prindërit dhe në jo pak raste të kushtueshëm. Me pretekstin e mungesës së adresës së banimit, prindërit janë të ekspozuar përballë gjobëvënies që nis nga njësia administrative e deri tek drejtori i shkollës për të regjistruar fëmijën në klasën e parë. Ky fenomen është më i përhapur në shkollat e zonës së ish Bllokut dhe qendrës së Tiranës, por edhe në rrethe”, shkruan në deklaratën e saj Qëndresa Qytetare.
Qëndresa Qytetarë i kërkon Ministrisë së Arsimit që me një udhëzim të posaçëm ti kërkojë zyrave arsimorë të nisin një hetim për këtë çështje si dhe i kërkon Bashkisë Tiranë të rishikojë çështjen e adresave, pasi “është absurde që më pretekstin e adresës qindra fëmijë të privohen për të ndjekur shkollimin në një institucion arsimor të caktuar”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.