Arsimi profesional është parë gjithmonë si një mundësi për të dalë më herët në tregun e punës.
Por për tre vitet e fundit është venë re një rënie e regjistrimeve edhe në arsimin profesional. Sipas të dhënave të INSTAT nga 20.6% që ishte niveli i të regjistruarve, në vitin shkollor 2017-2018, ka arritur në 17.6% në vitin 2021-2022.
Por pse ka rëniet të regjistrimeve në profilet profesionale?
Eksperti i arsimit Albano Zhapaj i pyetur nga Gazetasi.al tregon se që prej vitit 2012 arsimi profesional nuk varet më nga Ministria e Arsimit. Sipas tij kjo e ka bëre të shkëputet pak nga profili pedagogjik.
“Arsimi profesional menaxhohet nga Ministria e Financave. Pra duke kaluar dorë më dorë nga një ministri tek tjetra, nuk i është rritur cilësia por i është dobësuar”, shpjegon Zhapaj.
Ministria e Arsimit aty nuk ka asnjë target që të kontrollojë e të shikojë këto shkolla dhe sipas Zhapaj kjo është problematika më e madhe.
Ai shton se këto bëjnë që prindërit të mos i dërgojnë fëmijët në këto shkolla.
“Po të shikoni dhe shkollat teknike janë mbushur me djem, mësimi nuk bëhet i rregullt, bëjnë vetëm praktik, ata që bëjnë praktikën nuk janë mësues të mirëfilltë. Janë thjesht teknik. Ajo shkollë e mesme profesionale, vetëm duke përmendur fjalën shkollë do të thotë që aty duhet të ketë lëndë teorike të mirëfillta që të bëhet më serioze shkollimi”, shpjegon Zhapaj.
Ndërkaq, në një raport të vitit 2018 nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, ka rezultuar se edhe pas reformës së re, ka ende një mungesë të theksuar të aftësive dhe mangësi të aftësive në tregun e punës në Shqipëri.
Sipas autores së studimit Annett Hilpert, eksperte ndërkombëtare të Politikave të Arsimit dhe Formimit Profesional, kjo vjen sepse nuk ka ndërveprim me komunitetit të biznesit dhe botës së arsimit.
“Organet kryesore këshillimore në nivel kombëtar, nuk po funksionojnë. Këshilli Kombëtar i AFP-së është ende në fazën e krijimit. Kjo të çon në faktin se sektori privat nuk mund të marrë pjesë sistematikisht në hartimin e politikave për AFP-në”, shpjegohet më tej në studim.
E vetmja zgjidhje për të krijuar një sistem arsimor profesional të rregullt është kthimi në Ministrisë së Arsimit
Më tej eksperti shpjegon se ky lloj modeli nuk është bërë në ndonjë vend tjetër.
“Këta i përgatisin me mesatare të dobëta, nuk i motivojnë kështu që aty dalin nxënës jo cilësor. Minimalisht duhet të kishim një statistikë mbi ecurinë, një raport vjetor si bëhet nga të gjitha shkollat dhe drejtoritë arsimore. Është jashtë vizionit pedagogjik. Në dy tre vite ka rënë 3-4% kjo tregon që nuk është pak”, shpjegon eksperti.
Sipas ekspertit, që një nxënës të bëhet mekanik sot, kur makinat janë të gjitha moderne, duhen të kenë njohuri më tepër se sa të ofron shkolla e mesme profesionale.
“Ka nevojë të evoluojë studimi. Për këtë zgjidhja e vetme është kthimi i arsimit profesional ku ka qenë”, përfundon Zhapaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.