Njerez

Iara Lee, regjisorja e paqes mes luftërave

Suadela Balliu - Të gjendesh mes zonave të konfliktit, bombave që fluturojnë mbi kryet e popullsisë civile, protestave për të rrëzuar regjime, të lundrosh me anije përplot refugjatë që u ikin tmerreve të luftës drejt një bregu shprese, që jo gjithmonë është krahëhapur në mikpritje e të kërkosh mes tyre njerëz që besojnë te ndryshimet paqësore, ato që mbillen për t’u korrur ngadalë tek brezat që do të vijnë, duket mision i pamundur. Jo për Iara Lee-në, aktivisten, regjisoren dhe producenten braziliane me origjinë koreane.

“Dua t’u tregoj njerëzve sesa e kotë dhe pa përfitim është, në fund të fundit, lufta. Ndryshimet nuk kanë pse vijnë me luftë. Ja, merr shembull popullin e Burkina Fasos, të cilët u ndërgjegjësuan masivisht duke dalë në shesh dhe duke e refuzuar vazhdimin e regjimit autoritar prej 27 vitesh.” –rrëfen Lee, një ditë përpara ekranizimit të filmit të saj “Burkinabè Rising” në Qendrën Kulturore “Tulla”, në Tiranë.

“Keni vend shumë të bukur thotë”, ndërsa ka shijuar për dy javë bregdetin e jugut të Shqipërisë e sapo është kthyer nga Gjirokastra. “Ime ëmë erdhi nga Brazili, ime motër me të birin nga Nju Jorku dhe unë po ndjek programin e tyre”, thotë duke qeshur. E ka vizituar Tiranën për herë të parë më 2009-ën, “por ishte shumë kalimthi. Tani po e zbuloj më shumë”, vijon, ndërsa krahas rrëfimit për punën e saj, bën pyetje për të kuptuar më shumë rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Pushimet në xhevahirin ende të fshehur të Mesdheut, mendoi t’i kthente edhe në një mundësi për të shfaqur një prej filmave të saj dokumentarë me metrazh të gjatë, të realizuar më 2018-ën. Ra në kontakt me qendrën “Tulla” i komunikoi editorit të filmit nga Bullgaria se do të shfaqte në kryeqytetin shqiptar filmin dhe “ai udhëtoi 11 orë me makinë për t’u gjendur këtu”, thotë ajo.

Me të dëgjuar se regjisorja Lee ishte aktiviste e përkushtuar në mbështetjen e lëvizjese të rezistencës që shfaqen përmes artit dhe kulturës, Aleanca e Mbrojtjes së Teatrit, i kërkuan që filmi të shfaqej edhe në oborrin e Teatrit Kombëtar, ku më pas edhe do të bashkëbisedohet me regjisoren rreth punës së saj, prej tre dekadash.

https://vimeo.com/242646765

“Të enjten më 30 gusht do të jetë tek “Tulla Center” në orën tetë të mbrëmjes, ndërsa më 31 gusht, tek Teatri Kombëtar në orën shtatë e gjysmë të mbrëmjes”, thotë regjisorja, ndërsa zbulon më shumë rreth filmit dokumentar mbi zgjimin e popullit burkinabè.

Si një përmbushje e profecisë që mbart emri i Burkina Fasos, që në gjuhën vendase do të thotë “toka e njerëzve të drejtë” , populli pas shumë vitesh arritën të ngrinin krye për të kundërshtuar krizën e madhe politike, sociale dhe ekonomike. Zgjimi erdhi nga artistë, ekologë dhe aktivistë, të cilët në dokumentarin e Lee-së, tregojnë hisorinë e tyre të ndryshimit.

Regjisorja i përshkruan si një popull të gjallë e të bashkuar, me një larmi mes prejardhjeve fisnore dhe një kulturë të pasur e dinamike. “Njerëzit kanë përdorur forma të shumta të artit për tu shprehur dhe protestuar paqësisht, si në kohë vështirësish , ashtu dhe festash.”Popullin e Burkina Fasos e ka sjellë të gjallë për publikun ndërkombëtar në dy dokumentarë, ku veç “Burkinabè Rising” , ku pasqyrohet ndërveprimi i artit me politikën, ka sjellë edhe “Burkinabè Bounty” mbi agro-ekologjinë.

“Përpiqem t’i bëj sa më të shkurtër dokumentarët pastaj përfundoj duke i pasur nga dy orë”, qesh, ndërsa thotë se po përpiqet të gjejë forma interesante për të tërhequr audiencën e re drejt filmave të saj, si një pasim i stafetës në punën e saj si aktiviste.

Po çfarë e shtyn një njeri, e cila ka bërë karrierë në vendin e saj si kineaste, ka drejtuar prej vitesh një festival ndërkombëtar të filmit në San Paolo, t’i lërë të gjitha e të vendosë për të jetuar në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, për të parë nga afër dhe kuptuar konfliktin nga perspektiva e atyre vendeve?

“Vendosa të dal nga zona e rehatit. Vjen një pikë dhe njeriu kupton se në kuptimin e përditshëm nuk i mungojnë gjërat bazike; ka çfarë të hajë, të veshë, ka një punë, por mungon kuptimi i vërtetë”, thotë, duke shtuar se kur ishte e angazhuar në art dhe kulturë ishte mjaft popullore. “Por kur nisa të bëja filma dokumentarë, nuk u pëlqeva shumë njerëzve, që nisën të më shmangen”.

Prej vitit 1989, kur edhe la Brazilin për Nju Jorkun, punët e saj do të ishin si ata gurët që të shkaktojnë parehati brenda këpucës. Jetoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri në vitin 2003 ku drejtoi kompaninë “Capirinha Productions”, krijuar për të eksploruar sinergjinë e formave të ndryshme të artit, si filmi, muzika, arkitektura dhe poezia. Pastaj kaloi një kohë të gjatë duke jetuar në Siri, Jemen, Tunizi, Jordani dhe Liban, ku përjetoi edhe bombardimin 34 ditor të Izraelit në atë vend, më 2006-ën.

Prej më se pesëmbëdhjetë vitesh, bashkëpunon me agjitatorë, edukatorë, artistë dhe krijues të ndryshëm në mbarë botën për të ndërtuar solidaritetin global nëpërmjet rezistencës krijuese dhe veprimeve të padhunshme. “Më kanë akuzuar se kam financuar terrorizmin”, thotë, ndërsa rrëfen se shpesh ka hasur pengesa për ekranizimet e filmave të saj.

Iara Lee,  me veshje tradicionale palestineze 

Tregon për një grup vullnetarësh në Siri, të quajtur “helmetat e bardha” , të cilët u vijnë në ndihmë popullsisë civile që plagoset në luftë. “Kam ndihmuar duke çuar ambulanca për ta dhe kam dëgjuar se ata qenkëshin të përfshirë politikisht dhe janë grup terrorist e kështu më kanë akuzuar se indirekt paskësha kontribuar në terrorizëm. Të bësh diçka humanitare për të shpëtuar jetë, si dërgimi i ambulancave, është terrorizëm?!”, zonja Lee, thotë se nuk e di nëse grupe të tilla humanitare devijojnë gjatë rrugës “por kemi bërë verifikime faktesh dhe kam mësuar se vazhdojnë në rrugën e drejtë, duke ndihmuar njerëz”.

Thotë sesi u gjend në valën e parë të refugjatëve sirianë drejt Turqisë. “Sapo kishte nisur dhe, askush nuk e mendonte se do të merrte përmasa aq të mëdha, sa mori.”Në 2008-ën u shpërngul për të jetuar në Iran, ku edhe mbështeti një sërë projektesh shkëmbimi kulturor, me synimin për të promovuar artet dhe kulturën për solidaritet global. Përvojat në Lindjen e Mesme e çuan të udhëtojë në qoshe të tjerë të jugut të botës, eksperienca që kulmuan me prodhimin e dokumentarit me metrazh të gjatë “Kulturat e Rezistencës” më 2010 –ën. Ky film e çoi të themelonte edhe Rrjetin e Kulturës së Rezistencës, si një shembull i mirë, ku aksioni krijues ndihmon në parandalimin e konflikteve dhe gjetjen e zgjidhjeve.

“Besoj tek energjia, mendoj se gjithçka është e lidhur”, thotë, “mund të rrimë duarkryq në një cep dhe të jemi optimistë, por nuk është zgjidhje. Duhet të besojmë tek ndryshimi”.

Tek ai ndryshim që farkëtohet dhe merr formë ngadalë, me shpresën se breza të rinj do ndjekin shembullin e saj, për të kontribuar tek ndryshimet e drejta dhe paqësore, ka besuar dhe ka mbështetur të rinj nga zonat e konfliktit – Afrikë dhe Lindje e Mesme – me bursa studimi në SOAS ( Shkolla për Studime Orientale dhe Afrikane) në Londër.

“Bursat ishin me qëllimin që ata të rinj, pas studimeve të ktheheshin dhe të kontribuonin në vendin e tyre për të sjellë ndryshimin, por shumë prej tyre nuk donin të ktheheshin më. Nuk u vë faj, është më mirë në Londër se në këto vende, por nuk ishte ky qëllimi, kështu që hoqa dorë.”, thotë, por në asnjë moment nuk është dorëzuar në punën e saj.

Në maj të vitit 2010, ishte pasagjere në “MV Mavi Marmara”, një anije në flotën e Lirisë, në Gaza që u sulmua i në ujërat ndërkombëtare nga flota izraelite e që çoi në vdekjen e nëntë aktivistëve humanitarë dhe vullnetarëve të ndihmës së parë. Mes shumë njerëzve që regjistruan ngjarjen në atë anije, ekipi i saj ishte i vetmi që e fshehu me sukses dhe xhiroi thuajse plotësisht sulmin, xhirime që më vonë i publikoi globalisht, pas ekranizimit në Kombet e Bashkuara.

E tronditur nga ajo përvojë, u përkushtua në kërkimin e paqes së drejtë në rajon dhe është mbështetëse entuziaste e këtyre iniciativave, që fuqizojnë zbatueshmërinë dhe ligjin ndërkombëtar. Në vitin 2012, realizoi filmin “Barërat që vuajnë: kur ndeshen elefantët, vuan bari”, që heton konfliktin sirian përmes humanizmit të civilëve që janë vrarë, abuzuar dhe hedhur në mjerimin e kampeve të refugjatëve.

Zonja Lee është e përkushtuar në mbështetjen e civilëve palestinezë, të cilët kanë qenë viktima të krimeve të luftës, të kryera nga ushtria izraelite. “E çuditshme sesi Maroku mbështet Palestinën, por nuk do që të flitet për pushtimin e Saharasë Perëndimore”, thotë ajo. Ka realizuar një dokumentar me metrazh të gjatë rreth kësaj çështjeje sensitive. “Jeta po pret: Referendumi dhe Rezistenca në Saharanë Perëndimore” titullohet filmi i saj i realizuar në vitin 2015 dhe hedh dritë në 40 vjet të pushtimit maroken në këtë zonë dhe betejën jo të dhunshme të saharianëve për vetëvendosje nga një popull, për të cilin, siç e sheh Lee, kolonializmi nuk ka mbaruar kurrë.

“Kur desha ta shfaq filmin në Amerikë, e anuluan ekranizimin një ditë para premierës, sepse nuk donin të krijonin incidente diplomatike me Marokun. Besoj se po të shkoj në Marok, do më ndalojnë të hyj”, qesh ndërsa është e vetëdijshme për rreziqet që i kanosen saherë udhëton nëpër vende të tilla të konfliktit. Jo vetëm rreziqet e luftës, por edhe mosbesimi i popullsisë vendase kur i qaset. “Por meqë unë jam miqësore si braziliane dhe me tipare aziatike, më shohin me dashamirësi”, buzëqesh ajo.

Iara Lee në liqenin e kraterit të vullkanit "Santa Ana" në San Salvador

Kur ia ndaluan filmin në Amerikë, “u zemërova shumë dhe u dërgova news letter afro 35 mijë njerëzve, ku u shpjegoja çfarë kishte ndodhur. Në një rast tjetër, kur postoi në faqen e saj të Facebook-ut, “ sesi izraelitët hedhin bomba me fosfor në popullsinë palestineze. i kam parë vetë nga afër lëkurët e tyre dhe ndikimin që ka ajo. Kjo lloj bombe është e ndaluar me ligje ndërkombëtare. Facebook ma bllokoi menjëherë”, rrëfen.

Nuk ishte hera e parë që i mbylleshin dyert dhe është e sigurt që nuk do të jetë e fundit që i mbyllet në punën e saj. Kujton sesi para 25 vitesh iu anulua shfaqja e filmit të saj të parë me metrazh të gjatë në kinematë amerikane. “Sepse Harvey Weinsten i kompanisë “Miramax, donte që filmat e tij të vijonin të shfaqeshin. Më telefonuan nga kinemaja dhe më thanë se do na duhet të heqim një dhe do të heqim ty, sepse as Disney-n nuk e heqim dot, Miramax kishte kërcënuar se nëse nuk vijonin me filmin mund t’i tërhiqte të gjithë filmat. U thashë se do ua rrëfeja këtë gazetarit të Neë Yorker, që do të shkruante një artikull rreth meje, thanë: “Bëje, pa problem. Media atë punë ka, shkruan sot, përgënjeshtron nesër.”

Populli i Burkina Fasos.

Rrëfen se kur ia tha gazetarit, ai ngurroi ta shkruante, me arsyetimin se “Miramax është reklamues dhe nuk donte që me këtë histori, ata të tërhiqnin reklamat. Kjo botë është, por kam mësuar të lundroj në shtigje të tjera” Kur i është mbyllur një portë ka parë se i janë hapur dhjetë të tjera dhe filmat janë ndjekur si nga audienca me qindra ashtu edhe me më pak.

“Por nuk është gjithnjë e lehtë, nuk dorëzohem dhe insistoj për vite.” Thotë se ka në e-mailet e saj përpjekje disa vjeçare për të ekranizuar filmat. Edhe në Tiranë thotë, se ishte përpjekur prej vitit 2013 dhe vetëm pesë vjet më vonë ia doli ta sjellë një prej filmave të saj për publikun shqiptar. Nuk është ndalur vetëm në filmat mbi rezistencën paqësore të popullit të Burkina Fasos. “

“Tani kam mbyllur një film mbi Lesoton, “Të kthesh mbeturina në Thesare”, kam edhe tre në postropdouksion. Është ritëm i çmendur në fakt. Kam qenë në ishujt Solomon dhe kam parë me sytë e mi, sesi po zhyten ishuj si pasojë e ngrohjes globale. Në pak vite do të jenë zhdukur. Është pastaj Kaledonia e Re që po lufton për pavarësi...kam trajtuar me pak fjalë të gjithë ishujt e Oqeanisë dhe përpjekjet e tyre për rezistencë.” Kultura e rezistencës për Iara Lee përfshin çdo fushë; janë përpjekjet për të mbrojtur mjedisin, siç janë edhe betejat për të drejtat e grave dhe të minoriteteve.

Artist në Burkina Faso, pjesë e dokumentarit "Burkinabè Rising"

Në vitin 2013, realizoi një seri prej tre filmash të shkurtër mbi të drejtat e indigjenëve: “Beteja për Xingun”, që hedh dritë në këmbënguljen e popullit të Amazonës për të mbrojtur stilin e tyre të jetës; “Përdhunimi i grave Samburu”, hedh dritë mbi situatën, me të cilën përballen gratë në rajonin Samburu të Kenias, ku Anglia për më shumë se 50 vjet ka ruajtur bazat ushtarake dhe “Kalasha dhe kreshendoja”, që sjell kronikat e minoritet indigjen në veri të Pakistanit dhe sfidat për të ruajtur kulturën e tyre. Në vitin 2015, realizoi dy dokumentarë: K2 and The invisible Footmen”, i xhiruar në veriun e Pakistanit, kronikon gjenden e vështirë të indigjenëve të madhështores K2, maja e dytë më e lartë në Tokë.

Të gjithë projektet e Iara Lee-së janë të vetëfinancuara, ku siç pranon ajo, i është dashur të bëjë filma disi komercialë e paratë e fituara i ka vendosur të gjitha në projektet e saj. Por është kjo pavarësi që i jep lirinë të mos ketë frikë të ngrejë zërin ndaj gjërave që ajo i sheh si padrejtësi ndaj popujve të veçantë, por edhe njerëzimit në kuptimin universal. “Shkoj pa njohur askënd dhe brenda dy javësh i njoh të gjithë dhe di gjithçka rreth vendit. “- thotë duke qeshur, ndërsa pranon se interneti dhe rrjetet sociale janë ndihmë për të rënë në kontakt me vendasit.

Iara Lee, në Çernobil, Ukrainë.

Një tjetër projekt në në fazë post-produksioni është edhe “Të ndjekësh Çernobilin”, një film që shqyrton kulturën e nëndheshme të Zonës së Përjashtuar të Çernobilit, tri dekada pas katastrofës famëkeqe bërthamore, ndërsa “Camera unobscured” , një film ku portretizohen fotografët e njohur për ndryshim nga jugu i botës, është në para-produksion.

“Pa një rrëfenjë do të çmendeshim. Kjo është arsyeja pse bëjmë filma”, shkruan Iara Lee, në faqen e Facebook-ut që lajmëron shfaqjen e tij në qendrën kulturore “Tulla”. Me panoramën e rezistencës krijuese, regjisorja përmes filmit tregon kërkimin e një populli për paqe dhe drejtësi dhe ky kërkim përhapet në çdo aspekt të jetës së përditshme. E nesërmja do e çojë gjithnjë drejt zonave të konfliktit, në kërkim të atij grupi njerëzish që besojnë te ndryshimet që vijnë me paqe dhe përmes artit dhe kulturës, për t’i treguar botës marrëzinë e armëve dhe luftës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë