Politike

Lufta për SPAK-un, debatet e Eskobar me Majkon në Uashington/ Përse SHBA dhe BE nuk i besojnë qeverisë për ndryshimet në drejtësi

Gazeta Si - Deklaratat e mazhorancës se nuk ka asnjë qëllim të kontrollojë SPAK-un me ndonjë strukturë apo mekanizëm të ri parlamentar, nuk kanë qetësuar as SHBA-BE, por as vetë Prokurorinë e Posaçme.

Brenda një jave, ka pasur lëvizje të pazakonta diplomatike për të dhënë mesazhet e duhura se SPAK dhe drejtësia duhet të qëndrojnë të paprekshëm.

Javën e shkuar bëri shumë jehonë në media një takim në Departamentin e Shtetit mes zv/ asistent Sekretarin e Shtetit për Europën dhe Azinë, Gabriel Eskobar dhe delegacionit bipartizan shqiptar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Por është thënë pak ose aspak nga mesazhet kryesore të takimit. Gazetasi.al, ka konfirmuar nga më shumë se një burim, se një nga çështjet kryesore të ngritura prej zotit Eskobar, lidhej me shqetësimin për ndërhyrjen e mazhorancës për të kontrolluar SPAK-un.

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, mes Gabriel Eskobar dhe ish-ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim

Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit nuk ka përmendur detaje gjatë takimit, por ai vlerësoi si të papranueshme ndërhyrjet që po përgatit mazhoranca për të dobësuar rolin e SPAK-ut.

“Ne nuk e mbështesim këtë. Është e papranueshme. Është e rrezikshme”, - i është drejtuar Gabriel Eskobar përfaqësuesve të PS në delegacion.

I papërfshirë në ndonjë nga lëvizjet e qeverisë dhe të PS për çështjet e drejtësisë, Pandeli Majko e ka mohuar në mënyrë kategorike ekzistencën e një plani të mazhorancës për të kontrolluar SPAK-un.

“Nuk ka një nismë të tillë. Është vetëm një perceptim”, - ka thënë Pandeli Majko gjatë takimit në Departamentin e Shtetit, por Eskobar as nuk është bindur, as nuk është tërhëqur.

“Nëse është perceptim, duhet të luftoni, me perceptimin”, - u ka thënë prerë ai deputetëve përfaqësues të PS.

Nga partia në pushtet, aktualisht nuk ka ndonjë lëvizje publike, as për të shkuar përpara me ndonjë projekt për institucionet e drejtëisë, përfshirë SPAK, as me ndonjë përpjekje për të luftuar perceptimin se ata nuk duan të kontrollojnë SPAK-un.

Deputeti i PD, Gazment Bardhi në takimin e javës së shkuar me kongresmenë e deputetë në SHBA

Megjithatë, heshtja nuk do të thotë se nuk ka lëvizje nga partia në pushtet. Në raport me drejtësinë, lëvizjet po bëhen në 2 drejtime kryesore: vlerësim/rishikim i legjislacionit dhe kontroll mbi KLP-në.

Por le t’i marrim me radhë.

Gazetasi.al ka konfirmuar në nivele të larta politike dhe diplomatike se në PS ekziston një grup pune për çështjen e legjislacionit të drejtësisë.

Ajo çfarë mohohet publikisht nga disa eksponentë të PS apo disa të tjerë ngrenë supet, ekziston. Grupi përbëhet nga 7 përfaqësues, 4 nga Parlamenti dhe 3 nga qeveria. Gazetasi.al ka marrë dijeni të përbërjes së tij dhe mund të konfirmojë që pjesë e grupit është edhe kryeministri Edi Rama.

Nuk ka asnjë informacion çfarë ka prodhuar puna e këtij grupi juristësh, që ka shqetësuar SHBA-BE dhe partnerë të tjerë të rëndësishëm.

Përfaqësues të opozitës shqiptare nga takimet në SHBA

Ajo që dihet, është se në takimin me ambasadorët para Vitit të Ri, kryeministri ka folur edhe për nevojën për të ndryshuar Kodin Penal, për të ndryshuar nenin e shpërdorimit të detyrës, duke e argumentuar me stepjen e administratës për të firmosur për shkak të SPAK-ut.

Për t’u kthyer edhe pak më parë në kohë, në nëntor, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi pohoi në një intervistë se ka një grup që po punon për ndryshime në Kodin Penal, duke mos mohuar as kërkesën për heqjen apo ndryshimin e nenit të shpërdorimit të detyrës, që, sipas statistikave, është neni që po përdoret më shumë nga SPAK-u për ndëshkimin e zyrtarëve të lartë.

Ndërsa lëvizja e dytë, ku shumë shpejt, besohet se do të shpërthejë edhe debati politik, është kontrolli mbi Këshillin e Lartë të Prokurorisë, institucioni i cili voton për zgjedhjen e kreut të SPAK-ut.

Ata që ndjekin politikën, e mbajnë mend seancën e votimit të Altin Dumanit. Ambasadorja e SHBA-ve, në atë kohë, Yuri Kim, mori pjesë vetë në proces, ndërkohë që po bënte një betejë në distancë me qeverinë. Dhe Altin Dumani u zgjodh me 1 votë diferencë nga rivali i tij.

Në foto, prokurorë të SPAK-ut. I pari nga e djathta, Altin Dumani, kreu i Prokurorisë së Posaçme

Tani ka ardhur koha që të gjitha palët që janë në lojë, të bëjnë gjithçka për të influencuar KLP-në. Tre anëtarëve të KLP-së, që zgjidhen nga Kuvendi, përfshirë kryetarin e KLP-së, u ka mbaruar mandati.

Alfred Balla, Tartar Bazaj dhe Nurihan Sehiti, të zgjedhur nga shoqëria civile dhe avokatura, e kanë përfunduar mandatin 5 vjeçar.

Pyetja është: vendet vakante do të plotësohen me njerëz që i kontrollon qeveria apo jo?

Gazetasi.al ka mësuar se ambasadori i BE-së dhe ambasadori gjerman kanë nisur këtë javë takime me përfaqësues bipartizanë të Komisionit të Ligjeve për të treguar rëndësinë e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve të pavarur në KLP.

Gjithashtu, SHBA ka qartësinë dhe këmbënguljen për të ruajtur maksimalisht pavarësinë e organeve të reja të drejtësisë, përfshirë SPAK-un. Veçanërisht SPAK-un.

Pas pak ditësh Tiranën do ta vizitojë Sekretari Amerikan i Shtetit, Antoni Blinken. Dhe për të vrarë shumë zogj me 1 gur, nuk është çudi që agjenda e vizitës së tij të përfshijë edhe një takim me kreun e SPAK-ut, Altin Dumani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë