Politike

Reforma në drejtësi, Basha fajëson europianët: S’e mbajtën fjalën!

Lulzim Basha akuzon drejtpërdrejtë zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian në Bruksel për ngërçin në të cilën është përfshirë reforma në drejtësi.

“Partnerët europianë dështuan që të mbani fjalën e dhënë për miratimin e 7 ligjeve të Reformës në Drejtësi me konsensus. Amerikanët e mbajtën fjalën në lidhje me SPAK dhe BKH, ndërsa europianët dështuan. Është për të ardhur keq pasi edhe zotit Hahn, edhe Mogherinit po iu mbaron mandati dhe në vendin tonë akoma nuk është ngritur as Gjykata Kushtetuese as ajo e Lartë. Nuk mund të mbahet fryma pozitive vetëm me deklarata”, deklaroi kryetari i PD-së në një intervistë dhënë për Real Story në Vizion Plus.

Duke komentuar aktualitetin politik, për Bashën pak rëndësi ka nëse Sandër Lleshi dekretohet apo jo ministër nga Presidenti Ilir Meta.

“Ministria mbetet nën kthetrat e Edi Ramës. Sa kohe Kryeministër është Edi Rama, nuk ka asnjë rëndesi kush është ministër. Krimi ka marrë në dorë kontrollin e qyteteve dhe të rrugëve. Lleshi është i parëndësishëm. Rendi është në kolaps, kjo është çështja”, tha ai.

Për refuzimin e Metës thotë se ka vetëm një rrugë; ajo e shqyrtimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Por, në kushtet aktuale kur mungon kjo gjykatë, Basha i rikthehet reformës në drejtësi dhe sërish gishtin e fajit e drejton nga Edi Rama.

“I gjithë debati ekspozon mungesën e institucioneve, se Gjykatë Kushtetuese nuk kemi, por bëjmë të gjithë si gjyqtarë kushtetues. Rëndësi ka qe ne nuk kemi Gjykatë Kushtetuese dhe kjo është pjesë e krizës, ku ndodhet vendi”, u shpreh Basha.

Më tej, Basha ripërsërit bindjen e tij se Edi Rama kontrollon Ministrinë e Brendshme me qëllim që të mbrojë Vangjush Dakon, Saimir Tahirin, Fatmir Xhafajn, Taulant Ballën dhe të tjerë emra të socialistëve që opozita i akuzon si të lidhur me krimin.

Sa i takon protestës së banorëve të zonës së “Unazës së Re” si Lulzim Basha nuk deklarohet kundër prishjes së shtëpive të tyre për të hapur rrugën, por këmbëngul se banorëve që preken nga ky projekt duhet që më parë t’u sigurohet strehimi.

“Kemi të bëjmë me një situatë nëse do legalizohen apo jo. E drejta për shpronësimin e tyre është absolute. E drejta e banesës është e shenjtë. Pazari i madh e bënë pushtetarin e parë të Tiranës që të ofendojë qytetarët”, thotë ai.

Të njëjtin qëndrim me Bashën mban edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Edhe nga kjo parti nuk dalin kundër realizimit të projektit, por si kusht vendosin përpara një dëmshpërblim të drejtë për banorët që u shemben banesat e bizneset.

Por, me LSI-në duket se ka akoma më shumë të përbashkëta. Lulzim Basha nuk foli drejtpërdrejtë për një koalicion opozitar në zgjedhjet për pushtetin vendor të qershorit të vitit të ardhshëm, por la të kuptohej se qëndrimet edhe mbi këtë temë janë përafruar.

“Me LSI dhe partitë e tjera kemi një aleancë opozitare që ka qëndrime të shpallura. Shumë afër këto qëndrime do t’i bëjmë publike si një koalicion opozitar”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë