Politike

Reeker viziton Tiranën; takim me Ramën e Bashën

Ndihmës Sekretari i Shtetit në detyrë për Europën dhe Euroazinë, Philip T. Reeker viziton sot Shqipërinë.

Gjatë vizitës në Tiranë Ndihmës Sekretari i Shtetit në detyrë u takua fillimisht me Kryeministrin Edi Rama. Takimi u zhvillua në Kryeministri dhe zgjati më shumë se një orë. Fokusi i bisedimeve thuhet se ka qenë marrëdhënia e ndërsjellë SHBA-Shqipëri dhe bashkëpunimi i mëtejshëm i dy vendeve. Po ashtu, Rama dhe Reeker kanë folur edhe në lidhje me stërvitjen e përbashkët Defender21.

I pyetur në konferencën për shtyp të ditës së martë, nëse Reeker mbërrin në Tiranë për të përcjellë ndonjë mesazh të fortë politik të Uashingtonit, Kryeministri Edi Rama tha “të presim e të shohim”.

Pas takimit me Kryeminsitrin, zyrtari i DASH i është drejtuar selisë së Partisë Demokratike për t'u takuar me Lulzim Bashën. Takimi zhvillohet pas rikthimit në Tiranë të këtij të fundit, që ndodhej në Bruksel për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë Politike të Partive Popullore Europiane.

Të enjten, Reeker do të mbërrijë në Ohër, për të marrë pjesë në Konferencën "Rruga drejt Prespës", ku do të theksojë mbështetjen amerikane për dialogun e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin drejt stabilitetit dhe progresit në mbarë rajonin.

Po në Ohër, ai do të takohet me Kryeministrin maqedonas Zaev, Ministrin e Jashtëm Osmani dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të diskutuar rreth prioriteteve të përbashkëta për Ballkanin Perëndimor.

Gjatë periudhës 22 - 29 qershor, Ndihmës Sekretari i Shtetit në detyrë shoqëroi Sekretarin Blinken në udhëtimin drejt Berlinit, Parisit, Romës, Vatikanit, Barit dhe Materas.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë