Bota

Rebelët sirianë pushtojnë Damaskun, Assad arratiset

Forcat rebele të Sirisë njoftuan gjatë natës pushtimin e Damaskut pas ofensivës së tyre të befasishme që ka përfshirë vendin në vetëm pak ditë.

Rebelët thanë se udhëheqësi sirian Bashar al-Assad është arratisur nga Damasku, me avion për në një destinacion të panjohur, por zyra presidenciale e Sirisë dhe zyrtarët iranianë më parë pohuan se ai nuk është larguar nga kryeqyteti.

Sipas rebelëve institucionet publike do të qëndrojnë nën mbikëqyrjen e ish-kryeministrit derisa të dorëzohen zyrtarisht.

Presidenti i Sirisë Bashar al-Assad ka qenë në pushtet për një çerek shekulli pasi e trashëgoi atë nga babai i tij Hafëzi për 30 vjet në krye të regjimit.

Banorët e kryeqytetit dolën në rrugë për të festuar rënien e regjimit pas 50 viteve të sundimit të Partisë Baath, ndërsa grupet rebele paralajmëruan fillimin e një “epoke të re” në Siri.

Kështu vendi po përgatitet të shkruajë një faqe të re në librin e historisë së tij mijëravjeçare, ndërsa nga Uashingtoni Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se “Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe ekipi i tij po monitorojnë nga afër ngjarjet e jashtëzakonshme” në Siri dhe “mbeten në kontakt të vazhdueshëm me partnerët rajonalë”.

Pas hyrjes së tyre në Damask, forcat opozitare u drejtuan në qendër të qytetit dhe morën kontrollin e stacionit publik të radios dhe televizionit. Rebelët “çliruan” edhe burgun ushtarak Sednaya aty ku kundërshtarët e Asadit u torturuan dhe u ekzekutuan. Mijëra të burgosur nga aparati i sigurisë gjatë gjithë sundimit të regjimit janë lirura.

TV sirian, por edhe BBC, CNN dhe media të tjera shfaqën video të gjata të turmave brohoritëse në mes të natës në Damask. CNN tregoi karuselë me motoçikleta dhe skuterë, banorët e të cilëve valëvitnin flamujt sirianë, ndërsa nga disa zona të qendrës së Damaskut, si në sheshin Umajad, në imazhet e BBC-së, pas këngëve dhe britmave të turmës, dëgjohen edhe të shtëna armësh në ajër.

Turmat brohoritëse në Damask shkelën gjithashtu statujën e rrëzuar të babait të Basharit, Hafez Al Asad, i cili sundoi me grusht të hekurt për gati 30 vjet deri në vitin 2000.

Ndërkohë, kryeministri sirian, Mohammed Ghazi Jalali, tha se ishte i gatshëm t’i “shtrinte dorën” opozitës dhe të bashkëpunonte me “lidershipin” që do të zgjidhet nga populli. Siria tani duhet të mbajë “zgjedhje të lira në mënyrë që njerëzit të zgjedhin se kush duhet t’i udhëheqë ato”.

Marrja e Damaskut ndodhi pas një marshi triumfal të bujshëm dhe të papritur, i cili filloi vetëm 10 ditë më parë nga rajoni i largët veri-perëndimor i Idlibit në kufirin me Turqinë, i cili pushtoi forcat qeveritare, ruse dhe iraniane si Alepo dhe Hama. Ndërkohë, takimi i shumëpritur u zhvillua në Doha të Katarit, ku morën pjesë ministrat e jashtëm të Rusisë, Iranit dhe Turqisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë