Futboll

Real Madrid prenoton pasardhësin e Kristiano Ronaldos te Porto

Me golin e shënuar në Kupën e Portugalisë kundër Koimbroes, ai është bërë shënuesi më i ri në historinë e Portos. Fabio Silva është 17 vjeç dhe që tani është vënë në shënjestrën e Real Madridit. Sipas asaj që bën me dije “Don Balon”, presidenti Florentino Perez u ka dhënë miratimin njerëzve të tij për ta mbajtur nën vëzhgim djaloshin portugez, duke e bërë pjesë të projektit të së ardhmes së madrilenëve.

Perez dhe bashkëpunëtorët e tij kanë në plan ta rinojnë organikën e Realit me lojtarë perspektive, por që janë në gjendje të veshin një fanellë të rëndë si ajo e “galaktikëve”. Silva ka rënë në sy që sezonin e kaluar në “Youth League”, ku ishte shënuesi më i mirë i Portos, kampione e turneut. Nëse Reali arrin ta blejë talentin portugez, do të kishte luks sulmuesish të rinj, pasi ka në ekip edhe Vinicius Junior, Takefusa Kubo, Rodrigo Goes, Martin Odegard dhe Brahim Diaz.

Pas Luis Figos, Kristiano Ronaldos, Rikardo Kuaresmës, Luis Nanit, Rikardo Karvalho, Deko, Simao etj., Portugalia po rrit të tjerë kampionë, të destinuar për të bërë lavdi. Lista është e gjatë, duke nisur nga Zhoao Feliks, Florentino Luis, Zhoao Filipe, Ruben Dias, Ferro, Diogo Dalot, Diogo Leite, Ruben Kueiros dhe pikërisht Fabio Silva, i cili në vendin e tij krahasohet me “Topin e Artë”, Kristiano Ronaldon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë