Lajme

Pas dëbimit të diplomatëve, Irani: Shqipëria viktimë e SHBA-së dhe Izraelit

Në reagimin e tij të parë zyrtar mbi dëbimin e Ambasadorit Iranian dhe një tjetër diplomati, Teherani zyrtar akuzoi Shqipërinë se ka rënë viktimë e SHBA-së.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Iraniane, Bahram Qasemi thotë se vendi ynë është bërë pjesë e një skenari të disa vendeve për të dëmtuar marrëdhëniet Iran-Europë dhe se situata e tanishme është tejet e ndjeshme.

Duke folur për Agjencinë e lajmeve të Republikës Islamike (IRNA), Qasemi tha se qeveria shqiptare e ka marre këtë vendim në konsultim me SHBA-të dhe disa vende të tjera.

“Irani ka gëzuar gjithmonë marrëdhëniet e përzemërta me Shqipërinë dhe ka respektuar të gjitha rregullat dhe rregulloret e këtij vendi europian bazuar në parimet e politikës së jashtme të Republikës Islamike”, shtoi ai.

Ambasadori Iranian Gholamhossein Mohammadnia takohet me Presidentin Ilir Meta

“Duke pasur parasysh se SHBA ishte vendi i parë që shpalli qëndrimin e tij mbi këtë çështje dhe Shqipëria tha se vendimi ishte marrë në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë të vendeve të tjera, është e qartë se Uashingtoni dhe Tel Avivi fshihen pas këtij vendimi”, shpreh ai.

Shqipëria ka dëbuar ambasadorin e Iranit në vendin tonë, Gholamhossein Mohammadnia, për cenim të sigurisë kombëtare. Gjithashtu mësohet se është dëbuar dhe shpallur “non grata” edhe një diplomat tjetër i ambasadës iraniane emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur.

Pas këtij vendimi, Presidenti Donald Trump, Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe Këshilltari John Bolton kanë përshëndetur vendimin e Tiranës për të dëbuar ambasadorin iranian si dhe një punonjës tjetër, pasi sipas Washingtonit, komplotuan sulme terroriste në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë