Ngjarje

Rasti i radhës “Beccheti”: Vendimet e ICSID nuk apelohen, por varen nga “humori” i gjyqtarëve

Vendimet e ICSID-së, gjykatës së Arbitrazhit që i dha të drejtë Francesco Becchetti-t, duke ndëshkuar Shqipërinë dhe duke e dëmshpërblyer investitorin italian me rreth 110 mln euro janë të formës së prerë dhe ato nuk mund të apelohen.

Kështu e parashikon Konventa mbi bazën e të cilës është ngritur ajo që njihet si Qendra për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID – International Center For Settlement of Investment Disputes), me seli në Uashington dhe që është pjesë e Bankës Botërore.

Sipas neneve, 50, 51, 52 dhe 53 të Konventës, që Shqipëria e ka nënshkruar dhe ratifikuar që në vitin 1991 vendimet e kësaj trupe nuk mund të apelohen në një gjykatë, apo trupë gjyqësore tjetër, por vetëm mund të rishikohen nga e njëjta Qendër, nëse për një çështje të caktuar, pala pretenduese paraqet prova të reja, që mund të vlerësohen se mund të ndryshojnë vendimin e marrë.

Pikërisht kjo ankesë duket se ka qenë shkak se përse pas vendimit të marrë më 24 prill 2019 nga ana e ICSID, përfaqësues të Qeverisë shqiptare deklaronin se vendimi do të apelohej dhe se Francesco Becchetti nuk do të përfitonte “asnjë qindarkë” në fund të tij.

Shqipëria kishte afat deri më 20 gusht të 2019 për të kundërshtuar vendimin e 24 prillit. Por, siç kuptohet nga përmbajtja e Konventës, nuk bëhet fjalë për një apelim të mirëfilltë. Ajo që ndodhi në të vërtetë ishte një ankesë e parashikuar nga nenet e Konventës. Ky ishte mekanizmi që ka shfrytëzuar Qeveria shqiptare për të kërkuar rishikimin e vendimit të parë dhe deri shfuqizimin e gjobës.

Me marrjen e ankesës, rregullorja e ICSID-së parashikon pezullimin automatik të ekzekutimit të vendimit, deri kur të shqyrtohen pretendimet e palës ankimuese. Për shqyrtimin ngrihet një komision me 3 gjyqtarë. Këta të fundit administrojnë dosjen mbi bazën e të cilit është marrë vendimi i kundërshtuar dhe provat e reja që paraqet pala kundërshtuese e këtij vendimi.

Avokatura e Shtetit nuk iu përgjigj kërkesës së gazetës “Si” për informacion nëse gjatë ankesës pala shqiptare ka dorëzuar prova të reja, apo jo. Por, nga zhvillimet që rrodhën kuptohet se në këtë rast, ose pala shqiptare nuk ka dorëzuar prova të reja, ose ato nuk kanë bindur trupën me 3 gjyqtarë të ICSID që të rishikojë gjobën e vendosur. Megjithëse në faqen zyrtare të gjykatës thuhet se kërkesa për anulimin e gjobës është ende në shqyrtim, (Kliko Këtu), më 23 mars 2020, komiteti shqyrtues vendosi heqjen e pezullimit të ekzekutimit të gjobës.

Përpjekja e BE për të reformuar ICSID

Në mbi 5 dekada ekzistencë, ICSID është shndërruar në kryegjykatën ku janë zgjidhur rreth 75 për qind e mosmarrëveshjeve mes investitorëve privatë dhe shteteve të caktuara. Megjithatë, në dekadën e fundit kjo gjykatë është vënë në shënjestër të kritikave, duke u akuzuar se favorizon investitorët në betejat e tyre ligjore me shtete të caktuara.

Kritikat janë adresuar nga Spanja, që është edhe vendi me numrin rekord të padive në këtë gjykatë. Pikërisht Spanja është bërë nismëtarja e një ideje në Bashkimin Europian, ku kërkohet ngritja e një sistemi tjetër për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes shteteve të unionit dhe investitorëve.

Me blu vendet nënshkruese të ICSID, vendet me të verdha vendet partnere dhe me gri vendet jopjesëmarrëse

Në fakt, Komisioni Europian ka ndërmarrë dy vendime të rëndësishme që shmangin arbitrazhin e Bankës Botërore. I pari është përfshirë në marrëveshjen e tregtisë së lirë me Kanadanë dhe i dyti në marrëveshjen e tregtisë së lirë me Vietnamin. Në të dyja rastet, BE ka rënë dakord me Kanadanë dhe Vietnamin që mosmarrëveshjet të adresohen tek një gjykatë e përhershme me numër të barabartë anëtarësh që do të përcaktohen nga BE dhe përkatësisht nga Kanadaja dhe Vietnami.

Kjo lëvizje e BE-së mund të interpretohet si përgjigje ndaj kritikave të adresuara ndaj ICSID-së për mungesë transparence dhe favorizim të kompanive të fuqishme perëndimore përballë shteteve të caktuara me të cilat këto kompani përballen.

Shembulli i Ekuadorit dhe i Tanzanisë

Në gjithë historinë e saj ICSID-së ka dhënë vendime për rreth 500 mosmarrëveshje mes investitorëve dhe shteteve të caktuara. Por, rastet kur një vendim i marrë është rishikuar janë vetëm dy.

Precedentin e kundërshtimit të kësaj gjykate e vendosi në vitin 2015 Ekuadori. Shteti amerikano-latin kundërshtoi gjobën e marrë pas padisë së kompanisë naftënxjerrëse anglo-franceze, Perenco. Ekuadori hodhi dyshime mbi procedurën e ndjekur, juridiksionin dhe ligjshmërinë e vendimit të gjykatës.

Ankesa u pranua nga ana e ICSID-së, që i vendosi Ekuadorit kushtin që “do të merrte në konsideratë ndryshimin e vendimit të parë vetëm nëse paraqiteshin prova të reja bindëse”. Për këtë arsye, gjykata e orientoi shtetin amerikano-latin drejt paraqitjes së provave të reja. Ky udhëzim në vetvete do të thotë që gjykata pranonte tërthorazi që e njëjta gjykatë kishte juridiksionin për të rrëzuar vendimet e saj të formës së prerë.

Por, në vend të kësaj, avokatët mbrojtës të Ekuadorit u përqëndruan tek procedura. Ata fajësuan gjykatën se kishte harruar në mënyrë të përsëritur që të përcaktonte çështjet në gjykim, duke shkelur rregullat themelore të procedurës. Ekuadori tha se këto gabimi ishin të mjaftueshme që të anulohej vendimi i parë i gjobës, ose ajo të reduktohej.

Në rastin e Tanzanisë, banka “Standard Chartered” kërkoi rihapjen e çështjes me pretendimin se kishte prova dhe informacione të reja që mund të ndryshonin vendimin e parë. Gjykata gjeti se e kishte juridiksionin për të rishikuar këtë vendim.

Ky rast është unik. Gjykata doli edhe në përfundimin se kishte prova të reja, por edhe se informacioni i paraqitur para gjykatës nga ana e ankuesit ishte i rremë. Në të dyja rastet nuk ka ende një vendim përfundimtar.

Për rastin e Ekuadorit, megjithëse tërthorazi njohu si legjitime pretendimet e shtetit amerikano-latin, gjykata la në fuqi vendimin e marrë herën e parë, ndërsa për rastin e Tanzanisë me bankën “Standard Chartered” nuk është marrë ende një vendim përfundimtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë