Ngjarje

Rasti i qenit që lotonte vazhdimisht nga boja

I lyer krejtësisht me bojë jeshile, që nuk i hiqej nga trupi dhe me sytë që i qëndronin të skuqur dhe vazhdimisht lotues. Historia e një qeni endacak në Malajzi u përhap me shpejtësi në internet, aq sa grupet e mbrojtjes të kafshëve folën për mizori.

Qeni, banor i rrugëve të qytetit Petaling Jaya në Malajzi u shpëtua falë alarmit të ngritur nga një përdorues në rrjetet sociale, që postoi fotot dhe historinë e katërkëmbëshit, që e shihte çdo ditë në lagjen e tij.

Shazreen Othuman e mori kafshën dhe gjëja e parë që bëri u përpoq që ta lajë atë. Por, ai vuri re se ne trupin e qenit nuk ishte hedhur një bojë e thjeshtë, por një solucion i rrezikshëm që e kishte toksikuar.

Ai postoi rastin në rrjetet sociale së bashku me thirrjen për ndihmë. Ndihma i mbërriti nga një shoqata e mbrojtjes së kafshëve, që arriti të pastrojë pjesën më të madhe të bojës në trupin e qenit, ndërsa veterinerët që u morën me këtë rast thanë se si pasojë e toksikimit kafshës i lotonin vazhdimisht sytë.

Pas tri ditësh thirrje për ndihmë, Shazreen Othuman dha lajmin e mirë se qeni ishte pastruar krejtësisht dhe i qetë, ndërsa tani misioni është gjetja e një shtëpie për të.

Historia më fund të lumtur la një shije të mirë në rrjetet sociale, por shumë komentues e cilësuan “çnjerëzore” dhe bënë thirrje që autoritetet të kapin autorët. Në Malajzi, dhunimi i kafshëve konsiderohet vepër penale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë